Nga Arben Duka
Në kërkim të së vërtetës,
kot e gjithë përpjekja,
unë në emër i flas jetës,
më përgjigjet vdekja.
Më fton vdekja që të zgjedh,
heshtjen a litarin,
unë i kundërt jam me heshtjen,
si uji me zjarrin.
Re të zeza porsi nata,
ma kanë fshehur Diellin,
unë i largët jam me natën,
si toka me qiellin.
Re të zeza porsi nata,
ma kanë veshur ballin,
unë i kundërt jam me natën,
si Krishti me Djallin.
Jetën krejt ma kanë shkallmuar,
veç nga fjalë e hidhur,
jam në botën e shkalluar,
Promethe i Lidhur
S’janë asgjë të gjitha humbjet,
sa s’ke humbur nderin,
në Parajsë jetojnë mumjet,
unë kam zgjedhur Ferrin.
Tallin Sokratin e Varfër,
Derrat e Kënaqur,
dhe trashin shtresën e dhjamit,
në llum të zgërlaqur.
Në kërkim të së vërtetës,
paqe s’ka me horrat,
digjem si zjarri i Kometës,
të bëj dritë për qorrat.
Në kërkim të së vërtetës,
s’më lodh kurrë përpjekja,
ndaj në emër i flas jetës,
të tromakset vdekja.
Në një kohë kaq të sertë,
veten time njoha,
një statujë të mermertë,
do ma gdhëndi koha.
18.12.1995
Fallco…
Fallco-fallco-fallco-fallco,
vend i vogël i shqiptarëve,
që nga patentë e shoferit,
gjer te gradë e shkencëtarëve.
Fallco-fallco-fallco-fallco,
vend i vogël i fenerëve,
që nga klithmë e deputetëve,
gjer te palla e gomerëve.
Fallco-fallco-fallco-fallco-fallco,
vend i vogël i Orientit,
nga surrati i kryepleqve,
tek surrat i presidentit.
Fallco-fallco-fallco-fallco,
vend i vdekjes së talentit,
që nga pijetore e fundit,
gjer tek stallë e Parlamentit.
Fallco-fallco-fallco-fallco,
vendi vdekjes së poetit,
që nga ngjyrë e kastavecit,
gjer tek boja blu e shtetit.
Fallcua ndrin pas çdo fytyre,
te shqiptarët e shkretë,
veç urrejtja midis tyre,
veç ajo është e vërtetë.
Kullë “e ndritur” e pushtetit,
se qe fallco-ndaj u shëmb,
vajton shpirti i poetit:
“Shqipëria sa më dhëmb!”
1995-1997