Kur SPAK ka ngritur akuzën se nga projekti “Promenadë”, shtetit iu shkaktua një dëm ekonomik prej 18 milionë lekë dhe kur si kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe të dyshuarit e tjerë pretendojnë të kundërtën, gjykata i la detyrë prokurorisë që të vërtetojë ekzistencën e këtij dëmi. Dhe natyra e këtij dëmi nëse ka patur, tha gjykata, kërkon njohuri të posaçme akt ekspertize që të kenë vlerën e provës.
Një ekspert inxhinierik dhe një ekonomik, duhet të përpilojë akt ekspertizën para gjykatës.
Por, kur prokuroria ka 25 ditë afat për të vërtetuar dëmin në bashki nga ish-kryebashkiaku dhe vartësit, avokatët thonë se po mbaron koha e mbajtjes në paraburgim i të akuzuarve. Për këtë i referohen një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Mes detyrave të lëna SPAK-ut, gjykata kërkoi ripyetjen e ish-drejtoreshës ekonomike dhe të një prej të akuzuarve. Por edhe të dy audituesve që konstatuan shkeljet në 2015.
Audituesit kanë detyra konkrete.
Gjykata kërkon formulën se si u arrit në përfundimin se buxheti i shtetit u dëmtua gjatë prokurimit dhe nëse observacionet e audituesve nuk u konsideruan, cilat ishin arsyet. Vangjush Dako gjendet nën akuzë për shpërdorim për projektin e “Promendate” dhe për ndërtimin e një pallati, dhe së bashku me presin në gjykim paraprak edhe 10 të tjerë.