Protestuesit i vunë zjarrin një banke dhe plaçkitën dyqanet në rrugën tregtare historike të Parisit, duke shënuar një shpërthim të ri të dhunës, ndërkohë që demonstrimet e jelekverdhëve kundër Presidentit Emmanuel Macron dhe reformave të tij pro-biznesir hynë në muajin e katërt.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Protesta u kthye përsëri në dhunë pas shumë javësh qetësie relative që u shënua me marshime dhe me një numër në rënie të pjesëmarrësve.
Një degë e Bankës Tarneaud u pa të përfshihej nga flakët, para se zjarrfikësit të arrinin dhe të shpëtonin dy vetë nga ndërtesa. Njëmbëdhjetë persona morën lëndime të lehta, tha departamenti i zjarrfikësve.
Protestuesit gjithashtu i vunë zjarrin një dyqani kulinarie dhe dy dyqaneve në Champs Elysees ndërsa nëpër bulevard mund të shihje zjarre sporadike.
Protestuesit hodhën gurë nga kalldrëmi i rrugës në drejtim të policëve në mjegullën e krijuar nga gazi lotsjellës para Harkut të Triumfit, i cili pësoi dëmtime të rënda në kulmin e protestave në dhjetor.
Policia arrestoi më shumë se 150 protestues deri pasditen e së shtunës ndërkohë që demonstruesit grabitën disa dyqane rreth bulevardit Champs Elysees dhe plaçkitën restorantin e njohur Fouquet.
Disa qindra metra më tej, në Champs Elysees, Kryeministri Edouard Philippe u tha gazetarëve se dhuna ishte “e papranueshme” dhe se do të bëhej gjithçka për të sjellë autorët para drejtësisë.
“Kemi të bëjmë me disa qindra, në disa raste edhe mijëra njerëz shumë të vendosur që kanë ardhur për të krijuar turbullira,” tha ai.
Ministria e brendëshme vlerëson se rreth 10,000 njerëz morën pjesë në protestën në Paris, krahasuar me 2,800 të shtunën e kaluar.