Mali i Zi do të dërgojë që prej ditës së sotme trupa të ushtrisë për të patrulluar kufirin me Shqipërinë, për të shmangur fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Lajmin e ka dhënë Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, e cila shpjegon se policia gjendet në të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë për të siguruar mbrojtjen e kufirit, teksa ushtria mund të thërritet vetëm për të ndihmuar në raste emergjente.
“Trupat malazeze do të përdoren që nga sot për të kontrolluar rajonin kufitar dhe kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë pranë pikës së kontrollit të Bozaj. Siguria kufitare do të mundësohet nga patrulla të përbashkëta të policisë dhe forcave të armatosura që do të parandalojnë kalimet e paligjshme në kufirin Mali i Zi- Shqipëri, si dhe aktivitete të tjera të paligjshme në rajonin kufitar”, thuhej në deklaratën e ministrisë.
Në korrik, kryeministri hungarez Viktor Orban i ofroi homologut të tij malazez Dushko Markoviç, ndihmë në përballimin e krizës së migracionit, pasi sipas udhëheqësit hungarez, Mali i Zi po mbronte jo vetëm kufijtë e saj, por edhe Hungarinë dhe të gjithë Bashkimin Evropian.
Autoritetet malazeze gjithashtu kanë thënë se po konsideronin ndërtimin e një gardhi përgjatë kufirit të përbashkët me Shqipërinë.
Pas mbylljes zyrtare të së ashtuquajturës “rruga e emigracionit të Ballkanit Perëndimor” në vitin 2016, refugjatët tani udhëtojnë në vendet e BE-së përmes një rruge të re të Ballkanit, duke rritur presionin ndaj kapaciteteve pritëse të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës.