Ka qenë i papritur për dy djemtë dhe familjen e tij, kthimi nga misioni në Afganistan i Rreshter Ervin Todos.
65 djemtë e grupit të efektivëve të Forcave të Armatosura shqiptare mbërritën në atdhe pikërisht në prag të Krishtlindjeve, pas misionit 6 mujor në Afganistan.
Me t’u ulur në aeroportin e Rinasit, Ministria e Mbrojtjes kishte menduar që për rreshter Todon të organizonte një vizitë surprizë në familje.
Pa i lajmëruar të afërmit e tij, rreshter Todo nga Batalioni i tretë i Këmbësorisë në Poshnje, së bashku me grupin e xhirimit u nis për në Berat.
Mjaft emocionues ishte çasti, kur rreshter Todo përqafoi dy djemtë, të cilët nuk e kanë pritur kthimin e të atit.
Edhe vetë Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zgjodhi këtë moment përmallimi të një efektivi të sapokthyer nga misioni, për të uruar Krishtlindjet në rrjetet sociale mëngjesin e sotëm.
Një vit më parë kur ajo uroi festat e fundvitit përmes një kartoline të punuar nga fëmijët e efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në ditë të bekuara si kjo e sotmja, gjithkush mezi pret të kthehet në shtëpi e të përqafojë familjen. Rreshter Ervin Todo, bashkë me 65 djemtë tanë me mision në Afganistan, pas 6 muajsh mungese dhe në përfundim të misionit të tyre, sot po i bashkohet tryezës së festave.
Rreshter Todo nga Batalioni i tretë i Këmbësorisë në Poshnje, surprizoi dy djemtë e tij, bashkëshorten dhe familjen e tij të madhe, duke na emocionuar të gjithëve. Krishtlindje të bardha për të gjitha familjet shqiptare!