Kontrolli i Lartë i Shteti duket se është futur në kaos sa i takon auditimeve. Pas ndryshimeve në krye të institucionit, pati një numër të madh shkarkimesh në KLSH. Kreu aktual ndryshoi hartën organizative dhe shumë specialistë u shkarkuan nga detyra.
Por një lëvizje e tillë ka krijuar probleme me auditimet. Burime brenda institucionit i thanë gazetës se futja e emrave jo profesionistë ka sjellë ulje të cilësisë në auditime dhe në shumë institucione procesi është stërgjatur me muaj të tërë.
Madje ka pasur raste që audituesit janë kthyer për herë të dytë në institucione, pasi nuk janë grumbulluar si duhet të dhënat. Por për të mos mbetur në kuadrin e burimeve, gazeta po e tregon me fakte si ka ndryshuar programi i auditimeve. Në faqen e KLSH janë publikua planet e auditimit dhe aty tregohet qartë si ndryshohen afatet. Duke i marrë me radhë, në muajin korrik u njoftua se do të niste auditimi në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lushnje.
“Auditim financiar dhe përputhshmërie”, për periudhën 01.01.2018 – 31.12.2020. Auditimi sipas planit niste më 05.07.2021 dhe raporti mbyllej më 20.11.2021. Por në të vërtetë auditmi nuk është mbyllur me raport final as këtë vit. Një auditim tjetër është në Bankën e Shqipërisë. Ai duhej që të mbyllej totalisht bashkë me raportin në fund të këtij muaji, por është shtyrë për në janar.
Një auditim ka nisur dhe për Ministrinë e Arsimit, i cili ka nisur në muajin shtator, pro edhe ai është shtyrë për në muajin gusht të 2022. Në të njëjtën linjë auditimet kanë qenë në Bashkinë Klos, ku plani ishte që raporti të dilte në tetor dhe u shty për në dhjetor, por sipas burimeve as këtë muaj nuk do jetë gati.
Pra nëse shihet, auditimet zgjatin nga 6-7 muaj dhe nuk hartohen dot raportet. Në faqen e KLSH ka vetëm një numër të ulët raportesh krahasuar me auditimet. Sipas burimeve, kjo situatë ka ardhur për shkak të ndryshimeve në staf, por që në ditët në vijim gazeta do të tregojë se si pati ndryshime punonjësish dhe proceset shumta gjyqësore që janë hapur.
Loja me paditë
Një ditë më parë gazeta tregoi se si po mbahen sekret të dhënat e padive, ndërkohë që po ashtu numri i zyrtarëve të dërguar për ndjekje penale është shumë i ulët. Nga një kërkim shumë i thjeshtë në faqen e internetit të KLSH, rezulton se që kur ka marrë detyrën kreu i ri dhe deri më tani, ka pasur rreth 30 persona të paditur në prokurori. Nëse shohim raportet e viteve të kaluar, në një vit KLSH padiste me qindra persona, por në afro dy vite janë kallëzuar vetëm disa funksionarë të thjeshtë institucionesh.
Një ditë më parë gazeta tregoi se edhe ata që janë paditur nuk dihet se kush janë pasi mbahen diskrete të dhënat. Sipas njoftimeve të KLSH, paditë e para të bëra nën drejtimin e kreut aktual erdhën në korrik të vitit aktual ku u paditën 5 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe disa funksionarë vendorë. Në gusht janë paditur disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Korçë.
Muajt e fundit janë paditur një sërë zyrtarësh në bashkitë Tropojë, Kurbin dhe Dibër. I vetmi zyrtar i lartë i paditur nga KLSH në këto muaj është kreu i AKU. Ndërkohë kemi disa rate të tjera ku KLSH ka gjetur zyrtarë të lartë me shumë shkelje, por nuk i ka paditur, por vetëm ka kërkuar shkarkim.