Nga Gazmend Bakiu
Ura e Zogut, ditet e perurimit!… (1927)
(Për ndërtimin e urës mbi lumin Mat, Ministria e Punëve Botore angazhoi shoqërinë sipërmarrëse “Mazorana & Co”, me seli në Trieste. Ajo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse do të bëhej një nyje lidhëse, për gjithë Shqipërinë e epërme me pjesën tjetër të vendit.
Ura filloi të ndërtohej në maj të vitit 1926, sipas projektit të përpiluar nga gjermanët. Për të drejtuar punimet “Mazorana & Co” solli në Shqipëri ing. Erwin Schnitter; erdhën gjithashtu edhe 30 punëtorë profesionistë, që punuan së bashku me punëtorë shqiptarë, duke përdorur një teknologji moderne.
Gjatë ndërtimit të urës, për transportimin e materialeve nga njëra anë e lumit në tjetrën, u përdor një teleferik që vihej në punë me motorë Diesel. Këmbët e urës u futën 11m thellë nën shtratin e lumit.
Ministria e Punëve Botore caktoi supervisor ing. Gjovalin Gjadri. Ura përfundoi pas një viti, -një kohë rekord, për një kryevepër inxhinjerike.
Ajo kushtoi 900.114 franga ari; kishte gjashtë arkada, 54m secila, ndërsa gjatësia e përgjithshme ishte 480m. Sot, ura ka pesë arkada si pasojë e dëmtimit që pësoi përgjatë Luftës II Botërore.
Inaugurimi i urës mbi Mat u bë më 26 maj 1927. Morën pjesë kryetari i Senatit Pandeli Evangjeli, kryetari i Parlamentit Kostaq Kotta, ministra dhe deputetë. Fjalën e rastit e mbajti ministri i Punëve Botore Musa Juka, i cili e pagëzoi urën me emrin e Zogut.
Në vitet 1926-1931 u ndërtuan 21 ura të rëndësishme dhe në vitet në vazhdim shumë të tjera, por edhe pas thuajse një shekulli, për nga bukuria dhe madhështia, Ura e Zogut mbetet unike, gjë që ka bërë të shpallet prej kohe monument kulture, por si pasojë e indiferencës, sot ajo rrezikon të shembet….