Para 20 ditësh, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Financa-Ekonomisë, kishte marrë urdhër nga ministri Arben Ahmetaj, të punësonte si “specialist vlerësimi në sektorin e pronave”, një djalë të diplomuar për ekonomi, në “Universitetin Mesdhetar”-Tiranë, me certifikatë notash, mesatare 9.8 në studimet “Bachelor”.
Nisur prej një urdhëri të brendshëm të kryeministrit Rama, që para emërimit, nëpunësve duhet t’u verifikohen diplomat e shkollës së mesme, të konfirmuara nga drejtoritë arsimore rajonale, zyrtari i kërkoi Zyrës Arsimore Rajonale Tiranë, të dhënat përkatëse të vitit të maturës, për personin që duhej të emërohej në ministri..
Të dhënat treguan, se i shkolluari dhe i diplomuari me nota 9 e 10-ta në Universitetin Mesdhetar, në 3 vitet e shkollës së mesme, kishte mesataren e notës 5.2, madje i ngelur në provimet e maturës si “vjeshtuk”, por gjithësesi, me urdhër të ministrit Ahmetaj, në datën 3 shtator 2018, ai do të ulet në një nga karriget e sektorit të vlerësimit të pronave, në Ministrinë e Ekonomi-Financave.
“PAMFLETI” ka kryer një investigim, në lidhje me këtë rast dhe rezulton, se ky realitet është masiv në universitetin privat “Mesdhetari”, si biznes për të mbledhur miliona, duke regjistruar e diplomuar si “shkencëtar e profesorë”, vjeshtukët dhe 5-axhinjtë analfabetë të shkollave të mesme, që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre.
Por referuar “karton-diplomës” që marrin tek “Universiteti Cacit” (siç e quajnë), ata konsiderohen “Të diplomuar Shkëlqyer” dhe këtë garanci e japin kontrollorët e rregullave e standardeve në këtë universitet, që ndoshta rastësisht, janë gruaja Greta dhe djali Eros, i pronar Anastas Angjelit.
Të vjen çudi dhe neveri njëherazi, që kjo ndodh, në një shkollë të arsimit të lartë, ku Senati Akademik i Universitetit “Mesdhetar”, përbëhet nga profesor-doktorë drejtues të Akademisë së Shkencave, si Gudar Beqiraj-Rektor, Ksenofon Krisafi etj., të punësuar në këtë universitet, ndërkohë që Anastas Angjeli është i punësuar në Akademinë e Shkencave, paçka se Statuti e ndalon, mbasi është me mandat partiak si militant dhe me mandat politik, si i zgjedhur deputet i PS.
Skandali thellohet më tej, kur mëson se “Universiteti Mesdhetar” është i regjistruar OJF në pasuritë e pronar Angjelit, por si universitet në dosjet e Ministrisë së Arsimit, rast i vetëm në glob, që një OJF, të japë diploma universitare, të cilat njihen nga shteti si “DIPLOMA UNIVERSITETI” dhe me to, ata punësohen zyrtarë, ekpsertë, drejtorë, ministra, juristë, kryetarë bashkie, prefekt, kryetarë komisioni tenderash, diplomatë, auditues në institucione, madje bëhen edhe deputetë e patjetër, që Caci e di se sa deptuetë kanë marrë diploma “Bachelor” e “Master”, tek biznesi i tij “Mesdhetar”, që qëndron e vepron mes OJF-së dhe Universitetit.