Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara kërkon sqarime shtesë për menaxhimin e kampit të Gjadrit në Lezhë. UNHCR është e shqetësuar për kushtet dhe trajtimin që do të kenë emigrantët, dhe për këtë arsye do të vendosë punonjës brenda kampit.
Qendra e Azilantëve në Lezhë, e cila po ngrihet me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, ka ngjallur shqetësime në radhët e UNHCR.
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara, deklaron se ka rezerva për mënyrën se si do të menaxhohet kampi në Gjadër, dhe për këtë ka kërkuar sqarime, të cilat lidhen me praktikën e mbajtjes së azilkërkuesve afrikanë.
Me pajtimin për të monitoruar sjelljen e autoriteteve dhe azilkërkuesve tre muajt e parë të funksionimit, Agjencia tha se do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut, të jenë të drejta dhe të ofrojnë mbrojtje dhe zgjidhje për ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtar.
Italia dhe Shqipëria vitin e kaluar arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë.
Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të mbajnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit.