I lindur nga dy prindër serb në Kosovë, por pothuajse nuk flet fare shqip. Ky është lojtari më i ri i Skënderbeut, Elmir Asani, i cili ka dhënë një intervistë, teksa ka rrëfyer prapaskenat e ardhjes së tij në Korçë, njohjen me Skënderbeun dhe idhullin e tij më të madh.
“Kam ardhur te Skënderbeu sepse është një klub i madh, me një traditë të madhe dhe me shumë trofe. Këto arsye më bindën ta pranoj ofertën. E kam ndjekur edhe më parë Skënderbeun, sidomos gjatë garimit në UEFA Europa League.
Skënderbeu është një klub i madh dhe me siguri do të thotë shumë të luash në këtë ekip dhe për të ecur lart në karrierë”, tregon Asani për Sportekspres.
Ndër të tjera ai shpjegoi se pse nuk u bë pjesë e korçareve në merkaton e verës.
Ai është formuar te skuadra e Vojvodinës në Serbi dhe nuk mund të luante jashtë shtetit të tij deri sa të mbushte 23 vjeç, ose duhej paguar taksa e formimit, ashtu siç e parashikon rregullorja e FIFA-s.
Për këtë, atij iu desh të kalonte një periudhë në Austri deri në momentin që të arrinte moshën që i lejohej për të kaluar te Skënderbeu.
Asani tregon se karakteristikat e tij janë të ngjashme me sulmuesin nga Gjilani, që luan me Liverpool tani. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, i cili është idhulli i tij.
“Idhulli im në futboll është aktualisht Xherdan Shaqiri i Liverpulit, sepse ne luajmë në të njëjtin pozicion dhe të gjithë më thonë se kemi të njëjtin stil loje”, pranoi sulmuesi.