Kryetarja e PS për Tiranën Blerina Gjylkameti ka reaguar pas deklaratave të Presidencës për Unazën e Madhe.
Përmes një postimi në facebook, deputetja socialiste thekson se komenti mbi punët e drejtësisë nga Presidenca tregon daljen nga roli për të qenë mbi palët, ndërsa shton se Meta është bërë me palën që do ta shikojë pa drita dhe rrugë, jo vetëm Unazën e Re dhe banorët e saj, por gjithë Shqipërinë.
“Komenti mbi punët e drejtësisë nga Presidenca tregon daljen nga roli për të qenë mbi palët, duke bërë të qartë se Presidenti është me palën që do ta shikoj pa drita dhe rrugë, jo vetëm Unazën e Re dhe banorët e saj, por gjithë Shqipërinë.
Ata që ankohen për Unazën e Re, janë zhurmues, nxitës të bllokimit, dhunës dhe rrëmujës. Por mbi të gjitha janë shkelës të Kushtetutës, militant që nga xhepat e cekët ju duket tesera e PD dhe LSI.
Tiranën e zhvillojnë projektet për njerëzit dhe jo njerëzit që kanë alternativë dhunën”, shkruan Gjylameti.
Deputetja Gjylameti nënvizon se PS dhe institucionet pranë qeverisë qendrore dhe lokale prej kohësh janë në një komunikim të vazhdueshëm me njerëzit për të adresuar sipas fushave të përgjegjësisë shqetësimet e çdo qytetari.
“Vëmendja jonë nuk ka munguar për rastin e Unazës së Re dhe për banorët e saj.
Nga qëndrimi pranë familjeve që u vendosën në banesat sociale, nga dëgjesat e vazhdueshme me komunitete të zonës dhe mbi të gjitha nga insistimi i pandalur i projektit për Shqipërinë dhe Tiranën që duam, që ne kemi dashur t’i ofrojmë zhvillimit të kryeqytetit”, shkruan Gjylameti.