Grupimi i Tifozave Kuq e Zi ka kërkuar reagimin e institucioneve shqiptare për lirimin e dy ultrasve kuqezi të arrestuar nga policia polake dje në Varshavë.
Në nisje të ndeshjes mes Polonisë 1-0 Shqipëri për Euro 2024, dy tifozët patën përplasje me policinë jashtë stadiumit, teksa u përdor edhe gaz lotsjellës për të bërë arrestimin e tyre. Tanimë TKZ kërkojnë që institucionet shqiptare të reagojnë për lirimin e ultrasve.
“Gjithsej 420 Tifoza Kuq e Zi të pranishëm në ndeshjen në Poloni dhe miliona të tjerë duke e përkrahur me shpirt, ndoqën mbrëmë kombëtaren e zemrës.
Pavarësisht rezultatit, lodhjes, sakrificave dhe kilometrave të bëra për në Poloni, na kishte marrë malli për një kombëtare të tillë. Kërkojmë nga institucionet tona ndërhyrjen për lirimin e anëtarëve tanë të arrestuar padrejtësisht dje në Varshavë”, shprehen TKZ.