Partia Socialiste duket e vendosur për të izoluar brenda muajit shkurt presidentin Ilir Meta.
Ky i fundit është zhveshur nga roli i kreut të shtetit, ndërsa i ka shpallur luftë qeverisë “Rama” dhe po merret me politikë sikur të jetë kryetar partie e jo president.
Për këtë arsye mazhoranca në fillim të shtatorit përmes Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ngriti grupin e punës që do të merrej me hartimin e draftit dhe propozimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të projektligjit “Për Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.
Ky draft tashmë është përmbyllur dhe janë plot 45 nene, përmes së cilës mazhoranca do të mbajë nën kontroll Presidentin e Republikës. Por qysh prej fillimit të muajit nëntor kur u zbardhën detaje nga ky projektligj, mazhoranca nuk ka hedhur asnjë hap për të diskutuar draftin në komisione e më pas ta dërgojë atë në Parlament për ta votuar. Aktualisht Kuvendi e ka mbyllur sesionin parlamentar për këtë vit dhe pritet që të nisë punë në 18 janar, duke e shtyrë izolim e Metës.
Rama mesazh deputetëve të mos vonojnë ligjin
Por zvarritja dhe mos mbyllja e draftit për ligjin organik për Presidentin e Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë brenda këtij sesionin parlamentar, duket se ka “acaruar” kryeministrin Edi Rama.
Gazeta “SOT” ka mësuar se zoti Rama iu ka dërguar të mërkurën një mesazh deputetëve të Partisë Socialiste përmes kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, të cilëve iu kërkon që të nxitojnë me projektligjin, pasi sipas tij, me sjelljet e fundit, presidenti Ilir Meta duhet të izolohet me patjetër. Në mesazhin që ka siguruar gazeta, i pari i qeverisë ka kërkuar nga të vetët që ta kopsitin mirë draftin, në mënyrë që të mos i lënë shteg Metës që të abuzojë, duke qenë se edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.
Madje, mësohet se Rama është shprehur qartë dhe prerë se mazhoranca nuk i ka asnjë borxh Ilir Metës dhe boll e ka toleruar, kështu që sesioni i ri parlamentar duhet të nisë me “pensionimin” e presidentit Ilir Meta. Në këtë pikë mësohet se në mesazh, Rama ua ka bërë të qartë se Meta duhet të izolohet brenda muajit shkurt.
Pra, duke qenë se sesioni i ri parlamentar nis në 18 janar dhe duhen disa ditë që drafti të diskutohet në komisionet kuvendore, plani i socialistëve është që ai të shkojë për votim në Parlament në fillim të muajit shkurt. Kjo do të thotë se me votimin e tij dhe botimin në Fletoren Zyrtare, zoti Meta do të izolohet dhe do të ketë të vështirë që të bëjë fushatë edhe pse ai ka deklaruar se nuk do ta njohë ligjin organik të mazhorancës socialiste.
Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që parimi i të gjithë ligjit organik për institucionin e presidentit të hartuar nga mazhoranca është se atë që kreu i shtetit nuk e bën, e bën Kuvendi. Kështu mes shumë çështjesh, kreut të shtetit i vendoset detyrimi të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë partitë dhe kryesisht me mazhorancën. Kjo e fundit është ajo që vendos datën e zgjedhjeve, sipas asaj që parashikon neni 17, nëse nuk gjendet konsensusi pas konsultimeve me partitë.
Nëse data nuk caktohet brenda afateve apo procedurave nga Kreu i Shtetit, atëherë atë e vendos Kuvendi. Ndërkohë referuar ligjit, afate vendosen dhe për emërimin e ministrave, problematikë e hasur me Sandër Lleshajn dhe Gent Cakajn. Brenda 7 ditëve duhet të dalë dekreti, në të kundërt hyn sërish në lojë Kuvendi. /NGA RIGELS SELIMAN