Nga Anri Bala
Nuk di sa herë e kam dëgjuar nga dhjetra lehës, qindra pas lehës dhe mijëra bishtluajtës, se Edi Rama ka kapur të gjitha pushtetet. Sa herë e dëgjoj më kap një e qeshur sa nuk di të ndaloj. Ndërsa unë qesh, mendoj se nuk do jenë të paktë ato që qajnë nga padrejtësitë e kësaj race politikanësh, që si Covid-19, as që ka ndërmend të largohet, por tallet, fryhet, krekoset dhe milloset, për ta bërë fytyrën e saj të zezë pa pikën e turpit… pis me të bardhë.
Çdo ditë që kalon, jo që nuk ndryshon asgjë për mirë, por e keqja kap të keqen dhe shpresa zbehet e tretet për çfarë shohim, duke i harruar ato që dëgjojmë, e pasiguria e së ardhmes tremb qytetarët, sikur kanë mbi kokë shpatën e Demokleut të varur në një qime kali. Drejtimi i vendit në mandatin e parë në bashkëpunim me ata që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë, sa herë kanë qenë në pushtet dhe me puthadorët e çdo pushteti, ishte një dënim i rëndë për qytetarët.
Futja në koalicion me buldozerin e nëntokës politike, prodhoi një fenomen të rrezikshëm: Kthimin në “kingmaker” të “rrezikut” duke i dhënë pushtete, që as në ëndërr nuk e kishin parë… 20 deputet qesharak, infantil, midiokër, të paditur dhe të pa arsimuar deri në injorancë, por që të kafshojnë e shqyejnë për partinë.
Kjo ishte fyerja e parë e rëndë, për të mos thënë tradhëti, për të gjithë ato shqiptarë që me 21 Janar dolën për të dërguar para drejtësisë kopilat e hajnisë me bllok, që prej “bllokut” u veshën me të zeza, provuan dyertë e qelisë dhe shkopat e gomës mbi kurriz.
Por menduan se ia vlejti, se më në fund i’a shkulën dhëmbët ujkut, por u gënjyen dhe u zhgënjyen. “I gjithëpushtetshmi”, pasi e mori atë mezi priti ta ndante sërish, duke vënë çakallin në krye të shtetit, në krye të drejtësisë, në krye të shërbimit informativ, në krye të Bankës së Shtetit dhe në krye të Kontrollit të financave të shtetit (KLSH) dhe sot edhe në krye të vetingut. Për ato që dinë shkrim e këndim, nuk besoj se ka ndonjë pushtet tjetër që mban në këmbë “ngrehinën” e një shteti.
Ndërsa “I gjithëpushtetshmi”, që akoma nuk e di se çfarë pushteti ka, i propozoi çakallit kreun e SHISH, u desh një vit që të hidhte firmën, duke qënë ligjërisht vetëm një noter sipas pushtetmadhit kuvend, por jo sipas çakallit president, që askush nuk guxon t’i tregoi vendin, kush është dhe deri ku i lejohet të shkeli Kushtetutën, sepse kushtetuta në Shqipëri shkelet… me leje.
Besoj nuk e keni harruar, se vendi nuk ka akoma ministër të jashtëm, që disa bashki nuk kanë kryetarë dhe se parlamenti e lejon dhe hesht turpërisht, duke e kthyer vendin në Republikë Presidenciale, me president pa mandat presidencial, por me mandat noterial për vendimet e qeverisë dhe parlamentit të Shqipërisë.
Nuk i’u kujtohet se si u zgjodh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë?! Një show i paparë, me mbledhje, vendime, propozime, deri te ndryshimi i Kushtetutës, ku Guvernator i Bankës së Shqipërisë mund të zgjidhej dhe një shtetas i huaj. Tham se më në fund Banka do binte në dorë të sigurtë dhe parat e shtetit nuk do luheshin nëpër kazino, por në atë kohë noteri nuk ishte noter dhe e bindi pushtetmadhin që t’i harronte guvernatorët e huaj dhe të emëronte kandidaturën e kapterr Nishanit, ish punonjësin e Deloitte & Touche.
Ky vendim i zhgënjeu të gjithë ata njerëz që e njihnin sistemin bankar dhe ishin joshur për ta drejtuar këtë sistem, duke qenë se ishin të mirëpritur për atë që ishin… bankier të vërtetë.
Por Saga mes “Pushtetmadhit” imagjinar dhe çakallit të vërtetë, që gllabëron pushtete nuk ndalet. Megjithëse ligjërish pa dhëmbë, burrrërisht për të mos e nënvlerësuar… ka kthetra.
Drejtësinë e kapur nuk e lëshoi, e kapi përsëri dhe e kavardisi në tiganin e tij. Hoqi Dvoranin dhe futi Vitoranën, që ashtu si Dvorani i ka mbaruar mandati, por tani jo që nuk ikën por me Marsidëm dhe inspektor të tjerë, përveç kreut të Kushtetues na mori dhe kreun e KED.
Krejt papritur, kur parlamenti çirret e ngjiret se do e shkarkonte, grabitqari si hien përlau edhe vetingun, atë që zgjedh dhe vlerëson gjyqtarë dhe prokurorë. Kryetarja e Kolegjit të Apelimit e mandatuar dje, Albana Shtylla, është një Vitore e dytë, ish sekretarja e tij për katër vjet.
Heshti parlamenti, por hesht dhe “Pushtetmadhi”, sepse siç thotë gjithmonë, që pas bërjes së koalicionit të turpit me grabitqarin… nuk ndërhyn në punët e drejtësisë. Nëse jetojmë në një shtet demokaratik klasik ka të drejtë, por a mund të na thotë se përse çakalli ndërhynë në punët e drejtësisë, duke u sjell si kryezoti i saj dhe jo ai që është konstitucionalisht… kryekëmboraxhiu i Shqipërisë, që bredh me dosje nëpër duar duke u bërë presion dhe shantazhuar gjykata dhe prokurori për të mbrojtur demohajdutërinë?!
Po parlamenti i gjithpushtetshëm përse hesht dhe nuk kërkon që t’i tregohet vendi, ose më e pakta t’i thuhet se përse paguhet që të mos “lodhet” duke bërë punët e të tjerëve?! Natyrisht, ju që nuk ndërhyni te drejtësia, duhet t’ua ketë zënë sytë padrejtësia, që është ulur këmbëkryq të vendin tim dhe tëndin dhe për dreq nuk e dalloni dot.
Në fakt jeni të zënë duke i dhuruar pushtetin e radhës cakallit… një anonim në krye të KLSH-së. Miku i Berishës dhe i Metës, i pa shkolluar në fushën e financave, doktor në fushën e drejtësisë me doktoratur si e “doktorreshës” Monika.
Nuk është financier por ka filluar shkollën për menaxhim biznes në vitin 2005 dhe e ka mbaruar në vitin 2018! Eshtë djalë hallë dhe djalë daje me Gramoz Rexhepajn dhe ka qenë avokati i tij.
Është propozimi i Monika Kryemadhit dhe Argita Berishës, ka marrë pjesë në fushatat e LSI-së dhe në protestat e shëmbjes së Teatrit, pra është personazh politik i Metapartisë.
Megjithë këto të zeza, vërtet verbëria dhe shurdhëria juaj ka arritur limite dhe caqe te pabesueshme, sa që nuk arrini të zgjidhni mes qindra shqiptarëve të arsimuar, kulturuar, të njohur dhe diplomuar në shkollat elitare të botës, një kryetar duke i dhuruar shtetit një hiç, sepse çakallit i duhet një sekretar?!
Apo ndoshta “Pushtemadhi” imagjinar në këto vite pushtet nuk e di fare se çfarë pushteti ka, por ama e di shumë mirë, se çakallin që e bëri luan duhet ta ushqej… me kërma pushteti./Ekskluzive.al