Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç ka folur më në fund për udhëtimin e tij me jaht në brigjet shqiptare dhe takimin me kryeministrin tonë Edi Rama.
Kreu i Shtetit kroat tha se vizita ishte zyrtare dhe se gabimisht u shpall si vizitë private.
Ai kërkoi falje për gabimin, megjithatë, Komisioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit do të kërkojë sqarime dhe dokumentacione shtesë nga Zyra e Presidentit në lidhje me qëndrimin e Milanoviç në Shqipëri në mes të gushtit.
Milanoviç tha se kjo vizitë ishte lajmëruar në ambasadë dhe se shpenzimet e udhëtimit u mbuluan nga buxheti i shtetit, ndërsa akomodimi u bë në rezidencën shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Sqarimi i Milanoviçit
“Ambasada e di se unë isha atje. Unë shkova në një vizitë zyrtare, të cilën gabimisht e shpallëm private. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që jam ftuar këtë verë dhe nuk është hera e fundit në atë anije, është një punë shtetërore dhe detyra ime. Unë kërkoj falje për gabimin.
Unë nuk dua të sfidoj Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Unë nuk kam fshehur asgjë dhe kam deklaruar gabimisht se ishte vizite private. Shpenzimet e udhëtimit u mbuluan nga buxheti i shtetit kroat ndërsa akomodimi u bë në rezidencën shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Kontakti shoqëror me burra shteti të huaj është një formë e punës time. Çfarë lloj fotografish doni që të publikoja?
Mbase doni nga ato të gruas time me rroba banje. Jo, nuk është e mundur, prandaj vendosa që të mos lejoja mediat kroate të vinin atje. Ka një buxhet për këtë dhe kjo është e gjitha. Për 20 vjet gjërat kanë funksionuar në të njëjtën mënyrë”, tha ai.