Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dënuar me forcë veprimet e qeverisë së Kosovës në veri të vendit.
Në një reagim në Twitter, pas tensioneve që u shënuan këtë të premte, Blinken shprehet se këto veprime po përshkallëzojnë tensionet dhe po rrisin jo stabilitetin.
Ai i bën thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të ndalë menjëherë “këto masa të dhunshme” dhe të rifokusohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jo stabilitetin.
I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Blinken.
Më herët, reagoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila po ashtu dënoi veprimet e autoriteteve të Prishtinës për të futur menjëherë kryetarët e rinj në zyrat e komunave me shumicë serbe. Në një reagim të ambasadorit Jeff Hovenier, kërkohej ndërprerja e masave të dhunshme.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vijojnë nga autoritetet për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, thuhej në reagim.
Në të njëjtën linjë është edhe shprehur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama në një reagim për atë që ndodhi në veri të Kosovës.