Ndërkombëtarët duket e kanë lënë vetëm opozitën në tentativat e saj për të rrëzuar qeverinë. Ndonëse shpresat e Bashës dhe Kryemadhit ishin se SHBA e BE do i bënin presion Ramës që të shkonte te qeveria teknike, në fakt të gjithë zyrtarë e lartë ndërkombëtarë kanë dalë kundër. Po ashtu, ata kanë qenë shumë të ashpër dhe ndaj skenarëve të dhunës dhe skenarëve destabilizues. Por çdo ditë që kalon, shtohen faktet dhe bindjet se pas gjithçkaje fshihet ish-kryeministri Sali Berisha. Edhe pse të enjten mbrëma Berisha deklaroi në një studio televizive se ai nuk ka ndikuar në vendimet e partisë, mënyra se si po sillet PD tregon qartë se është lojë e tij.
Gazeta po tregon sot fakte dhe informacione se si Sali Berisha sa herë që ka qenë në opozitë, gjithmonë ka tentuar skenarë destabilizues. Dhe po ashtu ndërkombëtarët, e veçanërisht SHBA, nuk e kanë përkrahur. Djegia e mandateve nuk është e vetmja krizë, pasi që nga viti 1997 e në vijim, Berisha sa herë ka humbur në zgjedhje, është përballur ashpër me qeverinë. Gazeta ka siguruar një raport të Departamenti Amerikan të Shtetit, në të cilin bëhet një përmbledhje e situatës politike që nga vit 1997 e deri në vitin 2000.
Aty tregohet qartë sjellja e opozitës që drejtohej nga Berisha, e cila në fokus ka pasur po bojkotin. Aty përmendet se si u manipuluan zgjedhjet e 1996 ku PD fitoi me 87.1 për qind dhe si më pas Berisha pasi doli në opozitë më 1997, nisi bojkotin parlamentar. “Partia Socialiste dhe aleatët e saj fituan 121 nga 15 vendet në parlament në zgjedhjet e 1997, të mbajtura 5 muaj pas periudhës së kaosit dhe anarkisë. Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet të pranueshme dhe të kënaqshme për rrethanat e tyre. Grupi më i madh opozitar Partia Demokratike i dha fund në korrik bojkotit të saj 10 mujor të parlamentit (bojkoti i dytë i tillë në 2 vjet pas akuzave për praktika abuzive nga socialistët dhe aleatët e tyre)”, thuhet në raport. Po ashtu përmendet dhe grushti i shtetit më 1998, ku dhe në atë kohë ngjarjet ndodhën pikërisht se Berisha donte pushtetin.
Përplasja me amerikanët
Ngjarjet e ndodhura në vitet 1996 dhe 1997 sollën dhe krisjen e para të Berishës me amerikanët. Gazeta ka siguruar një artikull të gazetës amerikane “The New York Times” të datës 20 mars 1997, ku tregohet se si amerikanët i vunë vizën Berishës. “Tashmë Shqipëria në kaosin e dështimit të skemave piramidale në të cilat shumë thonë se ishin të përfshirë zyrtarë të qeverisë Berisha, Administrata e SHBA ka hequr dorë nga njeriu ‘karizmatik’ që fillimisht joshi Uashingtonin në fillim të viteve 1990, si lideri opozitar që premtonte të nxirrte Shqipërinë nga e kaluara e izoluar.
Në publik Shtëpia e Bardhë e Departamenti i Shtetit nuk mbështesnin të ardhmen politike të Berishës, ndërsa në prapaskenë dhe në diskutimet me diplomatët evropianë dhe të NATO-s, që përpiqeshin të përmbanin konfliktin në Shqipëri të mos dilte jashtë kufijve, Administrata bëri të qartë se Berisha duhet të largohet. Kjo është arsyeja kryesore që SHBA refuzoi thirrjet në Europë dhe nga vetë Berisha për të sjellë forcën ndërkombëtare për të vendosur qetësinë. Ai është problemi tani. Ne nuk do të kemi zgjidhje për sa kohë ai do të jetë aty” thotë një zyrtar i vjetër i Administratës”, thuhet në artikull.
Zhgënjimi amerikan nga Berisha
Gazeta amerikane ka shkruar më tej se zyrtarët amerikanë ishin mërzitur me Berishën, pasi ai kishte refuzuar këshillat e tyre. “Evoluimi i marrëdhënies së SHBA me Berishës – nga afrimi i parë deri te zhgënjimi-thekson vullnetin e Uashingtonit për të ndihmuar demokratët në vendet ish-komuniste, por kjo ka treguar dhe kufizimet e kësaj politike. Zyrtarët thanë se zoti Berisha kishte neglizhuar këshilla të vazhdueshme për të përmirësuar udhëheqjen e tij, por kur Administrata nisi të distancohej prej tij ai nuk kishte më ku të drejtohej. Uashingtoni nuk është se kishte zgjedhur kalin e gabuar por thjesht kishin besuar shumë vetëm te njëri”, thuhet më tej. Në artikull bëhet dhe një rezyme se si amerikanët e zgjodhën Berishën si person që do sillte frymën e demokracisë në vend, por që dështoi.
“Prej fillimit kishte paralajmërime se Berisha mund të ishte një autokrat, veçanërisht pas arrestimeve të liderëve të minoritetit grek në 1994. Por ndihma amerikane vazhdoi duke arritur në $27 milionë në 1995. Administrata Klinton u zhgënjye nga Berisha kur ai refuzoi thirrjet për zbatimin e rendit ligjor kurse prishja nisi në vjeshtën e 1995. Në prag të vizitës së tij në Uashington, Berisha kërcënoi të vepronte kundër një prej kryetarëve të gjykatës së lartë Zef Brozi. Ambasadori amerikan asokohe Joseph E. Lake, paralajmëroi zotin Berisha se me këtë rrezikonte vizitën e tij me Klinton.
Por Berisha rezistoi dhe bëri vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai më pas u kthye në Shqipëri dhe shkarkoi zotin Brozi. Kjo nxiti rishikimin e parë serioz të Administratës amerikane ndaj Berishës dhe solli anulimin e 3 milionë dollarë trajnime për gjykatësit, prokurorët dhe oficerët e policisë”, thuhet aty. Pra, duket qartë se situata që kemi sot, ngjason shumë me atë të 20 viteve më parë. /Kliti Topalli