Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku nga një përplasje me armë zjarri, 3 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe një i huaj. Report Tv ka mësuar i huaji është me kombësi turke, i identifikuar si E.K. Dy shqiptarët e vrarë janë Endrit Alibej 34 vjec, dhe Arben Dylgjeri, 54 vjec. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh, ku një makinë me targa rumune ka qëlluar drejt 3 personave.
Tre personat kanë qenë në një makinë Land Rover dhe janë qëlluar në prani të familjarëve të tyre. Në 3 makinat ndodheshin 5 gra dhe 3 fëmijë. Viktimat u qëlluan me kallashnikov dhe me plumbat në kokë. Pas të shtënave, automjeti ku ndodheshin shqiptarët bashkë me të huajin, ka humbur kontrollin. Makina që i qëlloi mësohet se është larguar drejt Peqinit. Dyshohet se përplasja me armë lidhet me përplasjen e bandave në qytetin e Elbasanit dhe prishjen e pazareve të drogës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se 3 të vrarët janë kthyer pak ditë më parë në Shqipëri pasi ndodheshin jashtë vendit. Njëri nga shqiptarët ka jetuar në Angli, tjetri në Holandë. Pak orë më parë, Report Tv publikoi edhe një lajm lidhur me tentativën e rrëmbimit të biznesmenin Aurel Guni, por sipas burimeve, këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Drejt Elbasanit janë nisur forca të shumta policore si edhe Forcat RENEA.