Kryeministri Edi Rama në takimin me kandidatët socialistë të qarkut të Elbasanit, u shpreh se falë Partisë Socialiste, sot “shpata e drejtësisë” është në duar të SPAK.
Ai pohoi se kjo u realizua falë vullnetit të Partisë Socialiste për të shkëputur drejtësinë nga kthetrat e politikës.
“Këtu i vranë protestuesit komplet të pafajshëm. Këtë shpatën këtu, të zonjës së drejtësisë, nuk e ka patur drejtësia shqiptare, peshoren jo e jo, peshoren edhe sot e ka të lëkundur edhe sytë e mbyllur nuk i kanë akoma se shohim.
Ama Prokuroria, duke filluar nga SPAK shpatën e ka të vetën dhe ky është vetëm vullnet i yni, pse them se hyrja në BE është shpëtim edhe për këtë edhe për barazinë para ligjit.
Ne u themi votoni që shpatën ta ketë drejtësia dhe të mos vijë ta marrë pushteti politik. Nuk është e garantuar Shqipëria dhe shqiptarët se çfarë ndërtohet sot nuk prishet nesër”, tha ai.
Rama shtoi se kreu i SPAK, Altin Dumani ka respektin e tij për punën që ka bërë dhe sulmet që ka mbartur mbi supe.
Kreu i qeverisë shtoi se Dumani, ndonëse i kishte virtytet për të qenë një prokuror i pavarur, ishte reforma në drejtësi ajo që i dha mundësinë për ta bërë detyrën e tij pa pasur ndikime.
“Doli Altin Dumani që ka të gjithë respektin për punën që bën dhe sulmet kafshërore që ka marrë me një pjesë prokurorësh. Dumani ka qenë aty, prokuror se di se sa vjet ka, dhe virtytet nuk i erdhën nga reforma, i ka pasur.
Pse nuk thirri Dumani ndonjë politikan ato vite që ishte prokuror. Pse nuk doli ndonjë gjykatës që thoshte hajde këtu Altin se do ta gjykoj unë. Jo hetuar, por as thirrur sepse nuk është çështja e Altinit, por e shpatës. Nuk kishte shpatë në dorë Altini, e kishte pushteti politik”, u shpreh Rama.