Ish-futbollisti i ekipit të të rinjve të QPR, Kiyan Prince, është shtuar në videolojën “FIFA 21”, për të përkujtuar 15-vjetorin e vdekjes së tij tragjike.
Kiyan ishte një nga talentet e futbollit anglez, por në moshën 15-vjeçare ai u vra me thikë kur po mundohej që të ndante dy shokë shkolle, që po rriheshin me njëri-tjetrin.
Nga sot, ai është përfshirë në skuadrën e QPR-së, me numrin 30 në fanelë, dhe do të jetë i disponueshëm në modalitetet “Kick-Off” dhe “Career Mode”.
Les Ferdinand, ish-lojtar i QPR dhe kombëtares angleze, tha se diçka e tillë do të sensibilizojë jashtë mase adoleshentët dhe do t’i bëjë ata që të mendohen më shumë për veprimet e tyre:
“Shumë djem të rinj luajnë FIFA dhe kur të shohin në lojë Kiyan Prince, do të mendojnë jo vetëm që një moshatar i tyre humbi jetën, por edhe për jetët e shkatërruara të familjarëve të tij.
Edhe jeta e familjarëve të djalit që vrau me thikë, i cili sot është në burg, është shkatërruar. Ndoshta kjo do t’i bëjë që thikat t’i lënë në shtëpi”.