U shkëput edhe një artist tjetër nga gjiri i familjes, i shokëve dhe miqve, i tërë atyre që e ndoqën për shumë vjet punën e tij në Radio dhe në Televizionin Shqiptar. Ka pushuar së rrahuri zemra e Paulin Shkjezit, i cili kishte disa kohë që luftonte me shëndetin që shkonte gjithënjë në përkeqësim.
Paulinin e njohim si djalin e aktorit të paharruar Ndrek Shkjezi. Paulin Shkjezi ishte regjisor i RTVSH në të cilin punoj për më shumë se 25 vjet ku janë realizuar shumë e shumë emisjone nën regjinë e tij.
Paulini nuk e kishte kohën për tu larguar. Por, këtë nuk e rregullojmë dot ashtu si do ta dëshironim. Një ditë do të largohemi të gjithë nga kjo botë. E rëndësishme është ajo që lemë pas. Paulini i la gjurmët e tij kudo që shkoi. Ai u bë i njohur që kur ishte gjimnazist me të paharruarën “Matura ‘72”. Pastaj ai ishte biri i një aktori të paharruar siç qe Ndrek Shkjezi.
Por asnjëherë ai nuk e shfrytëzonte emrin e të atit për të përfituar vetë, por investonte për të lënë gjurmët e tij me formimin, me personalitetin, me qytetarinë dhe shumë çka tjetër me të cilat ai u bë i njohur dhe shumë i dashur për këdo.
Na iku përgjithënjë Paulini ynë. Do të na mungojë e qeshura e tij me zë të lartë e pa të keq… Do të na mungojë mirësia që përcillte në çdo fjalë… Do të na mungojë shpirti i pastër e tepër miqësor me këdo. Paulini i thjeshtë, i komunikueshëm, e me humorin e tij të hollë nuk do të shihet më mes shokëve e miqve… Do t’i mungojë familjes dhe të afërmëve… Këtej e pas ai do të mungojë për të gjithë.
I përcjellim ngushëllime bashkëshortes Zonjës Monda për këtë humbje të madhe. I përcjellim ngushëllime fëmijëve të tyre dhe gjithë njerëzve që janë prekur nga kjo ndarje e përherëshme me Paulinin tonë të dashur.
Prehu i qetë në banesën tënde të fundit, i dashur shok, koleg dhe mik që i bëje vend vehtes kudo që gjendeshe. Qofsh i paharruar përgjithmonë.