Nga Bledi Mane-Public Enemy
34 u helmuan në fillim, pastaj 70…dhe deri tani 100 banorë të Bulqizës së pasur të varfër, po vuajnë pasojat e ujit të kontaminuar të çezmave të tyre.
Ujësjellësi i Bulqizës ka vite që pikon jo ujë por një lëng të helmatisur e të përzjerë me makutërinë e shfrytëzimit pa kriter të minierave të kromit, me talljen që u bëjnë punës së minatorëve, me sakatimet dhe vdekjet e tyre.
Bulqiza që prodhon çdo vit dhe pasuron batakçinjtë e kromit me rreth 170 milionë euro, Bulqiza pra nuk ka ujë për të pirë.
Bulqiza e shkretë të kujton Limpopon në Afrikën e Jugut që eksporton 300 milionë euro diamante çdo vit por nuk ka as ujë e as energji elektrike për banorët e saj të varfër.
Ndërkohë në Shqipëri në vendin e shqiponjave pordhace, 21 kompani të ndryshme nga Veriu në Jug përpunojnë, ambalazhojnë, shesin dhe fitojnë 150 mijë euro në ditë nga uji i pijshëm…dhe paturpësisht askush nuk çoi për solidarizim sikur edhe një bidon ujë pa gaz për fëmijët e helmatisur.
Kompanitë shqiptare të ujit sponsorizojnë programe bajate politike televizive dhe videoklipe kurvash silikoni, e nuk denojnë të furnizojnë një ditë të vetme me ujë qytetin e helmuar.
Çuditem edhe me shoqatat humanitare dhe fetare sa hipokrite po tregohen.
Dalin çdo ditë në ekranet e televizioneve duke qarë e duke u quravitur për një familje të varfër në Tetovë të Maqedonisë, por për dhimbjen dhe helmimin e një qyteti të tërë nuk gjejnë dot as kohë e as ujë…
Ti Elvis Naçi po më lexon apo ngaqë ti nuk po ha se agjëron duhet të agjërojë duke mos pirë as ujë edhe Bulqiza?