Gazetari Basir Çollaku, që ka bërë intervistën me oficerin e policisë Emiljano Nuhu, i cili tha se është kërcënuar për të mbyllur çështjen e djalit të deputetit, bëri thirrje që vajza e dhunuar të merret në mbrojtje nga policia pasi është në rrezik.
“Bëj apel që të merret në mbrojtje. Sepse ata që e kanë kërcënuar janë ende të lirë. Pistoletat i ka ende trup. Nuk mund të merret për bazë deklarata e sotme e saj në TV por deklarata që ka bërë para disa muajsh në polici”, tha Çollaku.
Në këtë moment ka ndërhyrë gazetari tjetër i ftuar në studio, Mentor Kikia i cili thotë se “çdo intervistë që ka dhënë vajza pas plasjes së skandalit është abuzive. Mbetet ajo dëshmi që ajo ka dhënë përpara policisë dhe jo para mikrofonëve të TV. Edhe nëse vertetohet se Taulant Balla s’ka qenë në komisariat nuk duhet të thuhet se çështja u zgjidh. Kësaj ngjarje i duhet zhveshur ngjyra politike dhe duhet të merremi me thelbin: Mosfunksionimi i hetimit në organet ligjzbatuese, polici e prokurori për dhunën e ushtruar ndaj asaj vajze nga djali i deputetit”, tha Kikia në studion e Opinion.
Kujtojmë se mbrëmjen e sotme, televizioni “Report Tv” ka publikuar një intervistë të vajzës së dhunuar nga djali i deputetit të PS në Krujë, Rrahman Rraja. Ajo ka mohuar se është përdhunuar nga Rexhep Rraja (djali i deputetit). Në këtë intervistë të dhënë pas denoncimit të oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, vajza nga Nikla thotë se e ka denoncuar Rexhep Rrajën dhe më pas e ka terhequr denoncimin me dëshirën e saj