Nga Alfred Peza
Brenda një harku shumë të shkurtër kohor, ajo që u trumbetua me të madhe si një pakënaqësi e madhe që po e detyronte popullin të derdhej nëpër sheshe dhe rrugë për të nisur një lëvizje masive për të drejtat e veta civile, ose “mosbindja civile”, përfundoi si ajo shprehja e modifikuar në “kokoshi një… vezë”.
Një “mosbindje”, nga e popullit në atë të të zgjedhurve të saj. Nga rruga, në sallën e Parlamentit. Madje një aksion jo i të gjithë deputetëve të PD dhe LSI. Por më së shumti i një grupi të vogël që janë vetidentifikuar tashmë prej kohësh, si “grupi zjarri” i seancave plenare kuvendore të së enjteve.
Po pse ndodhi kjo?
E para, sepse aksioni nuk ishte një kauzë natyrore e qytetarëve, të cilët ndjejnë se duhet të refuzojnë disa nga rregullat e bashkëjetesës komunitare, shtetërore dhe ligjore, për të detyruar klasën politike që të korigjojë një padrejtësi kolektive.
E dyta, ajo që nisi në Kalimash si një protestë e banorëve të Kukësit kundër pagesës së faturës së udhëtimit me makinë nëpër rrugën e Kombit, ishte atë ditë një reagim qytetar për një pagesë të lartë për ta. Nëse nuk do ishte ushtruar dhunë, ajo po mund të kishte të gjitha premisat për të qenë një “mosbindje civile” për atë faturë.
E treta, opozita si edhe qeveria u kap e papërgatitur nga ky reagim. Qeveria vrapoi që të korigjonte gabimet e saj, ndërsa opozita që ti rrëmbente qytetarëve të Kukësit, kauzën. Kopja sado besnike që të jetë, gjithnjë mbetet hije e origjinalit.
E katërta, pasi ia rrëmbeu “kuazën” qytetarëve, opozita u mundua që ta përhapte “zjarrin” e saj artificialisht nëpër Shipëri, duke dashur që ajo që ndodhi në Kalimash të ndodhte kudo. E bëri me aq nxitim, aq zell dhe në mënyrë aq pak “civile” këtë aksion “mosbindjeje”, sa u detyrua që të bllokojë disa rrugë me deputetë e kryetarë partish, e duke djegur goma. E njëjta gjë edhe protesta e qepenave të biznesit të vogël që u sqarua shpejt se TVSH-ja nuk kishte asnjë impakt financiar të shtuar mbi ta, e cila në thelb është një masë që synon kontrollin e biznesit të madh. Kjo bëri që qytetarët dhe tregtarët, të distancohen shpejt.
E pesta, në kushtet kur populli vijoi axhendën, e vetmja hapësirë për “mosbindje civile” që i mbeti opozitës, ishte salla e Parlamentit. Ku u përdorën vezët, mielli, uji dhe mjetet e tjera rrethanore të infrastrukturës elektronike të Kuvendit, për të ndezur “flakën e kashtës”.
E gjashta, fati e do që këto seanca transmetohen live dhe qytetarët nga shtëpi, lokale, zyra dhe ambjentet e tjera, të shihnin me sytë e tyre se si në aktin final, ajo që u trumbetua si “mosbindje civile”, përfundoi si një “lëvizje çartiste” apo “rebelim parlamentar”.
Dhe e fundit, për ta vendosur qershinë mbi tortën e hidhur të këtij aksioni të radhës së opozitës, u dërguan krerët e FRD dhe LRI në shtëpinë e Kryeministrit. Siç u kuptua shpejt, qëllimi nuk ishte që ti vihej trau rrugës së Surrelit, por që dikush prej tyre të shoqërohej nga policia. E me këtë rast të gjendej një sebep i ri, për të shkuar e për të protestuar para ndonjë komisariati tjetër, si e si që ta mbante gjallë sa të mundej aksionin opozitar të radhës.
Fundjava që kemi përpara, me siguri do bëjë që e gjitha çfarë u tha, çfarë u nis për të bërë e në çfarë u katandis, të harrohet. Për të pritur javën e ardhshme, kur bashkë me rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të kërkohet nga opozita, një aksion tjetër i radhës.
Nuk mund ta dijmë se për çfarë mund të jetë ajo. Por me siguri tashmë e dijmë se kësaj që sapo pamë, ndryshe i thonë: U bars “mosbindja civile” në rrugë dhe polli një… vezë në Parlament./Alpenews.al/