Fredi Beleri, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, është zyrtarisht i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e ‘korrupsionit aktiv në zgjedhjet’, pra për blerje të voatve. Ai u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ka qenë prej ditësh në hetim.
“Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 te K.Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votes”, thuhet në proceverbalin e arrestimit.
Të shoqëruar në komisariatin e Vlorës së bashku me Fredi Belerin kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, avokati i tij, një anëtar i Shtabit elektoral dhe një tjetër. Shoqëruesi i Belerit, Pano Kokoveshi është vënë në pranga për korrupsion në zgjedhje në bashkëpunim. Kokaveshi, truproja i Fredi Belerit, rezulton të jetë i afërmi i Andrea dhe Nikollë Kokoveshit.
Këta dy së bashku me Fredi Belerin nën siglën e organizatës “MAVI” hynë nga Greqia në territorin shqiptar të armatosur duke sulmuar me armë postën kufitare të Peshkëpisë. Ndërkohë, janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa banorë të Himarës.
Një agjent policie zbuloi të paktën rastin e blerjes së 8 votave nga Fredi Beleri, një votë 5 mijë lekë, gjithsesj 40 mijë lekë. Burime zyrtare të Prokurosië së Vlorës, thanë se ky pazar votash nga Beleri, kandidati i koalicionit Meta – Berisha për Bashkisë e Himarës, është dokumentuar.
Të njëjta burime tregojnë se hetimet nisën pasi policia pati informacion parakrak për kërkim vote me para. Agjenti i policisë ishte në mesin e njerëzve që iu premtua kjo gjë. Këtu nisi dhe mbikqyrja, kurse agjenti i infiltruar, u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga rregjistruesi, për dokumentim të provave.
Ndalimi është bërë pak pas mesnate, nga forca ‘Shqiponja’ dhe FNSH teksa ishte në shëtitoren e Himarës. Beleri dhe 3 të tjerët janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës.
Mësohet se ndalimi i Fredi Belerit është bërë pas një hetimi të prokurorisë së këtij qyteti, konkretisht i prokurorit Anton Pali, pasi kishte indicie për sa i përket veprimeve të Belerit dhe anëtarëve të stafit të tij.