Policia e Gjirokastrës ka arrestuar sot ish-drejtorin e Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social, Armand Mamanin, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, teksa ka favorizuar dy të afërme të tij për vjedhjen e energjisë elektrike.
Së bashku me të, policia ka arrestuar edhe të afërmen e tij, Violeta Baholli, ndërsa ka shpallur në kërkim 53-vjeçaren E. Zh. Armand Mamani akuzohet se iu ka dhënë energji nga zyrat e bashkisë dy të afërmeve të tij.
Por, kush është ish-drejtori i arrestuar?
Armand Mamani rezulton të jetë një ndër drejtuesit kryesor të LSI në Gjirokastër. Mamani ka mbajtur poste të larta në Gjirokastër. Ai ka qenë kryetar i LSI në Gjirokastër, si dhe drejtor i Agjencisë së Shërbimit dhe Mirëmbajtjes në këtë bashki.
Gjithashtu, Mamani ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Ai u shkarkua si drejtor në bashki pas një raporti auditi të brendshëm, në të cilin ishin konstatuar shkelje të rënda në detyrë.
Ndërkohë, Mamani ka rezultuar me probleme edhe kur ka qenë drejtor i spitalit. Në një tjetër raport auditi të kryer nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë, ishte konstatuar se drejtori i besuar i LSI në Gjirokastër kishte abuzuar me fondet publike të spitalit, por që i kishte shpëtuar drejtësisë.
Mamani vazhdonte të kishte lidhje me LSI dhe aktiviteti i fundit në të cilin merrte pjesë ishte kampi i LRI në Jalë. Vetë Mamani e ka konfirmuar një gjë të tillë, teksa më 30 gusht të këtij viti ka postuar një foto në faqen e tij të “Facebook”, në të cilën shkruan se i është bashkuar kampit të LSI në Jalë, së bashku me grupin e Gjirokastrës.