Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate ka porositur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç se Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, pas ankesës së tij për flamurin shqiptar në zyrat e saj.
“Aleksandar Vuçiç i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Milosheviç, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë mënyrë, ky subjekt politik i është përgjigjur një shkrimi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas një takimi që Kurti kishte zhvilluar në zyrat e Vetëvendosjes në Prishtinë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ku në sfond shijej flamuri kombëtar shqiptar.
“Pyetje për ambasadorin e BM në Prishtinë: Në zgjedhjet e kujt ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe flamuri i cilit shtet është ai para të cilit, ekselenca e juaj, jeni fotografuar me krenari me Kurtin?
Do t’ju pyes për këtë derisa të marrë një përgjigje”, ka shkruar Vuçiç duke aluduar se flamuri kombëtar shqiptar, i cili njëkohësisht është edhe flamur shtetëror i Shqipërisë, nuk është flamur i Kosovës.