“Demarkacion” tek thanat e kryeqytetit, jo tek trau i Kalimashit
Nga Lorenc Vangjeli
Kalimashi ishte skena, por përplasja reale ka nisur dhe vazhdoi në Tiranë. Tymi doli në Kukës, por zjarri është ndezur në kryeqytet. Ajo çfarë ndodhi të shtunën e Pashkës katolike në rrugën e Kombit është një nga shembujt që ulërin se në politikën shqiptare nuk ka paqe. Çfarë ndodhi të shtunën është shembulli tronditës dhe i rradhës i hipokrizisë së skajshme që shërben si karburanti i vetëm i çdo lëvizjeje në politikë.
Ngjarjet e dhunshme në veri dhe gjuha e armatosur në Tiranë e palëve vunë sërish në skenë dramën e njohur: gjykim ndryshe nga karrigia e pushtetit dhe tërësisht i kundërt nga platforma e opozitës. Çfarë është e bardhë kur shihet nga zyra, shndërrohet në të zezë kur del prej saj. Vendosja e tarifës për kalimin në rrugën e Kombit është historia tipike në të cilën janë përfshirë të djathtë e të majtë, të cilët kanë ndryshuar qëndrim varësisht raportit me pushtetin. Dhe kur dëgjon zyrtarisht selinë blu dhe një tufë tipash prej saj që ndryshojnë nga njëri -tjetri sa goglat e tespieve që të flasin kundër këtij koncesioni, është e pamundur që ata të mos duken si ato vajzat e ndrojtura të provincës kur kthehen nga Tirana me një barrë përvojë. Dhe që vendosin të qepen, por nuk e qepin, për t’i ngecur në derë me nder e respekt ndonjë qyqari që beson se me të ka nisur bota.
Me pak me shumë moral se niveli i gjunjëve, në PD duhet të kërkonin ndjesë, por jo llogari sa herë flitej për rrugën e Kombit.
Ndeshja për tarifën e pagesës tek tunelet e Kalimashit ka disa plane. Duke nisur me të drejtën e pandryshueshme për të protestuar. Një protestë – qoftë edhe me pak dhunë brenda – është pothuajse gjithmonë e shëndetshme për një shoqëri me nerv të mpirë që u rri politikanëve gojëhapur, si pacientët nën anestezi dentisti. Eshtë e drejtë pothuajse natyrore që një të varfëri nga Kukësi, Tropoja apo Saranda e Gjirokastra, nga Gjilani, Peja apo nga Prizreni e Gjakova, dhjetë euro t’i duken një pasuri e tërë, ndërkohë që dikush tjetër, në Tiranë a Prishtinë refuzon t’i marë ato qoftë dhe si kusur. Këto janë dy momentet e parë për të kuptuar se çfarë po ndodh në këtë aks me zjarr në Tiranë dhe tym që del në Kukës. Pjesa tjetër e ekuacionit është e thjeshtë dhe për të arritur tek e vërteta relative, duhen pohuar më parë ca të vërteta gjithashtu të thjeshta. Nga ato që harrohen të parat. Rruga nuk ka mbaruar ende. Nga Kukësi në Morinë duhet të kesh fat dhe shenjtorë nga pas që t’i shpëtosh fatit që i kanë projektuar udhëtarit mbi asfalt shejtanët e politikës. Me ura të pambaruara dhe asfalt të copëtuar, ajo pjesë e rrugës është monument i babëzisë dhe paaftësisë që shfaqet edhe më i dhembshëm kur kalon kufirin mes shqiptarësh në Morinë dhe sheh pjesën kosovare të të njëjtës rrugë.
Për përfundimin e rrugës dhe për mirëmbajtjen e saj duhen shumë para. Eshtë e pamundur të jepet një shifër konkrete, por gjykohet se duhen hedhur edhe nja 200 milionë euro të tjera në atë projekt, që për shkak të vjedhjeve, shpërdorimeve, keqmenaxhimit dhe gjigantomanisë së sëmurë të projektuesve të saj politikë, është jo vetëm rruga që lidh shqiptarët, edhe gropa që destabilizoi krejtësisht financat e shqiptarëve. Po kështu, edhe mirëmbajtja do të kërkojë disa milionë euro në vit. Diskutimi do të duhej të niste në këto pika duke gjykuar se si do të siguroheshin paratë që janë të domosdoshme. E vërteta tjetër, që harrohet nga kushdo, është që qeveria nuk ka asnjë lek të sajin; ajo administron financat publike. Që do të thotë se në të dy rastet, për të vajtur dhe ardhur në rrugën e Kombit ose duhet paguar taksë tek trau, ose duhet paguar nga shtëpia dhe ata që paguajnë janë qytetarët dhe jo qeveria. Dhe më tej akoma, do të paguajnë ata që kalojnë me makinë në atë rrugë apo edhe ata që nuk kanë makinë fare dhe nuk kanë lëvizur nga shtëpia. Këto duhet të ishin temat e debatit. Shoqëruar me transparencën maksimale të projektit të koncesionit, të gjykimit mbi të cilin është vendosur vlera e tarifës dhe për një sërë hallkash të tjera, deri dhe ato që do të saktësonin dhe do të mbronin shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë. Në fund dhe vetëm në fund, do të duhej të flisnin politikanët. Ata e kanë bërë shumë herë dhe shumë kohë më parë.
I pari e ka bërë doktor Berisha që vite më parë thoshte: “Ne e ndërtuam, por nuk e mirëmbajmë dot. Ne do të detyrohemi t’ja japim me koncesion një kompanie të madhe…siç bëjnë të gjitha vendet”.
Tjetri, kryetari i PD-së së sotme, si ministër transportesh i qeverisë së djeshme të Doktorit, ka qenë i pandehur nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pikërisht për ndërtimin e kësaj rruge.
PD-ja që sot është në rreshtin e parë të kundërshtisë nisi procedurat për dhënien me koncesion të kësaj rruge, por nuk mundi ta mbyllë në dy vjetët e fundit të mandatit të saj të dytë.
Edi Rama që e quante dikur “rruga që të çon në askund” aksin që sot lidh Shqipërinë me Kosovën, sot thotë se rruga e Kombit “…ka hyrë në fazën e një rrënimi pa kthim nëse përdoruesit e saj nuk do të kontribuojnë për mirëmbajtjen e saj”.
Ministrat e LSI-së, në qeverinë e parë të Ramës, vijuan të njëjtën procedurë të nisur nga qeveria Berisha dhe janë autorët e studimit të fizibilitetit, të nisjes së procedurave për dhënien e koncesionit dhe nënshkrimin e kontratës me koncesionarin e përzgjedhur.
Qoftë dhe këto pak detaje dëshmojnë një fakt të vetëm: që të gjithë, të majtë e të djathtë bien dakort në një pikë; për përfundimin dhe mirëmbajtjen e rrugës duhet paguar. Dhe të dy palët gjykojnë se rruga duhej dhënë me koncesion. Pjesa tjetër është vetëm procedurë. Dhe për të heshtin të gjithë. Ndaj ka një tjetër zgjidhje që është jo vetëm urgjente, por edhe shumë e vonuar: “demarkacioni” me hipokrizinë politike duhet bërë jo tek toll-sat e Kalimashit, por tek thanat e Tiranës. Sepse Kukësi në të shtunën e Pashkëve, dëshmoi me tym zjarrin që ndizet rregullisht nga kryeqyteti.