Izraeli dhe Hamasi më në fund kanë rënë dakord për një armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve pas 15 muajsh luftë të përgjakshme që ka marrë mijëra jetë.
Kryeministri i Katarit, një ndër figurat kryesore të negociatave, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, teksa ende pritet të miratohet nga kabineti izraelit.
Zyra e kryeministrit izraelit tha më herët se kishte “disa klauzola të pazgjidhura”, por shpresonte se detajet mund të finalizoheshin në orët në vijim.
Ndërkohë, pas këtij lajmi të shumë pritur, palestinezët në Gaza dhe familjet e pengjeve izraelite festuan në sheshet kryesore të disa qyteteve.
Sipas marrëveshjes, forcat izraelite do të tërhiqen nga zonat e populluara të Gazës, teksa palestinezët e zhvendosur do të lejohen të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që do t’i hapet rrugë dhe kalimit të ndihmave aq të nevojshme në këto momente të vështira për Gazën.
Negociatat për fazën e dytë, e cila duhet të lirojë pengjet e mbetur, një tërheqje të plotë të trupave izraelite dhe një “qetësi të qëndrueshme”, do të fillojë në ditën e 16-të të armëpushimit.
Faza e tretë dhe e fundit përfshin rindërtimin e Gazës diçka që mund të marrë vite dhe kthimin e trupave të mbetur të pengjeve.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paprecedentë të grupit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 46,700 persona janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, ndërkohë që shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur
by TaboolaSponsored Links