Nga Çapajev Gjokutaj
Çdo fund nëntori bëhet sherr. Palët grinden për ditën e çlirimit. S’kish si të dodhte ndryshe edhe sivjet. Madje sherri erdhi më i sertë, i paketuar avdallçe në dilemën ‘ditë feste apo ditë zie?’. Ngjan sikur vitet ikin e sherri, në vend të papset, ndizet edhe më.
Eshtë turp kombëtar që tre çerek shekulli pas mbarimit të luftës, të jemi të ndarë e të përçarë për vlerat e saj, madje edhe për datën e çlirimit.
Kjo sherrnajë 25 vjeçare të kujton thenien se popujt që grinden për të shkuarën, vonojnë të ardhmen e mund të thyejnë edhe qafën, si gjithë ata që ecin me kokën kthyer prapa.
Duket sikur grindja dhe sherret bëhen për luftën, për ide e për ideale.
Në fakt nuk janë veçse propagandë bajate në favor të parisë së sotme.
Kemi çerek shekulli që, laj thaj qeverisemi nga e njëjta pari, ndarë në dy parti.
Të dyja e kanë provuar e riprovuar veten edhe në pushtet edhe në opozitë. U ka dalë kallaji dhe sa vete e më pak u ngjit fjala.
Me që kapso alternativat që ofrojnë janë thujase të njëjta e nuk para bindin njeri, vënë në funksion politika të markës ‘ndarje e përçarje’.
Në këtë arsenal bën pjesë edhe ndarja e moçme ‘partizanë – ballistë’. Të mashtrojnë kë mund të mashtrojnë e të mobilizojnë sa mund të mobilizojnë.
Politikat e mbështetura mbi urrejtjen dhe përçarjen, sado arkaike e donkishoteske të ngjajnë, rezultojnë thellësisht të dëmshme, sidomos kur i vendos në kontekstin shqiptar.
Jemi popull i sakatuar, ndarë e shpërndarë në 6 shtete. Emigracioni i sotëm, kaq masiv dhe i stërzgjatur, po na mpak e po na plak.
Si të mos mjaftonin këto fatkeqësi kapitale, aktivizohen e hidhen në skenë edhe ndarje e përçarje turlisoj: veriorë vs jugorë, vendalinj vs çeçenë, myslimanë vs të krishterë, pasardhës ballistësh vs pasardhës partiznësh etj. etj.
Shumicën e herëve këto ndarje nuk janë as politike, as fetare, as kulturore, as krahinore. Janë thjesht kamuflazhe për të mbuluar interesa puro materiale.
Jemi popull i vafër dhe të mirat që prodhojmë nuk mjaftojnë për të gjithë. Ndaj të ndërsyer, herë hapur e herë tinëzisht, nga paria përdorim këto kamuflazhe për të demonizuar e përjashtuar grupin tjetër dhe gjithçka ta ndajmë brenda tarafit a partisë.
Kështu, të ndarë e të përçarë, përjashtojmë sa mundim, e bëjmë kombin shumë më të vogël seç është dhe, të ndërkryer nga varfëria e nga makutëria, krekosemi si kacagjela në mbrojtje të veriorëve a jugorëve, partizanëve a ballistëve, gati për t’i nxjerrë sytë shoshoqit.
Këtë e dinte dhe i pari, ndaj tha: fukarallëk maskarallëk.
Më falni, harrova të thoshja që festa e çlirimit është ditë kur kujtojmë e lartësojmë luftën dhe sakrificat që bëri një popull i tërë. Ta quash ditë zie, dhe ta bësh këtë vetëm për një grusht votash në zgjedhjet e ardhshme lokale, është maskarallëk e shkuar maskarallëkut.