Statistikat e lëvizjes së shtetasve për muajin e dytë të këtij viti, të publikuar nga “Instituti i Statistikave”, paraqesin një rritje të këtij treguesi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konkretisht, në shkurt të vitit 2023, numri i shtetasve gjithsej që kanë hyrë në territorin shqiptar regjistrohet në 695,246, duke pësuar një rritje me 51.5% krahasuar me shkurtin e një viti më parë, i cili regjistronte 458,951 hyrje.
Krahasuar me tetë vitet e fundit, shkurti i këtij viti shënon numrin më të lartë të hyrjeve gjithsej në territorin e Shqipërisë. Numri i hyrjeve të janarit 2023 kalon edhe nivelin më të lartë të periudhës para pandemisë, kur regjistroheshin në 616,496, ose 13% më pak se shkurti i këtij viti.
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri është 385,921 ose 56% të hyrjeve në total, ndërsa shtetasit e huaj përbëjnë 44% ose 309,325 të huaj gjithsej. Krahasuar me një vit më parë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është rritur me 53.9%, nga 200,997 të huaj në shkurt të 2022-shit.
Nga ana tjetër, po të flasim për daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shkurt të vitit 2023, janë shënuar gjithsej 693,021 dalje duke pësuar kështu një rritje me 40.3%, po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar INSTAT mbi numrin e shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë, shifrat tregojnë se janë 389,654 shtetas që kanë dalë, nga 293,703 që ishte kjo shifër gjatë shkurtit të 2022-shit. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2023, janë 303,367. Krahasuar me shkurtin e 2022-shit, ky numër është rritur me 51.5%.
Gjatë shkurtit, rajoni me numrin më të lartë të origjinës së shtetasve të huaj në Shqipëri vijon të jetë ai i Europës, me 300,057 shtetas, ndjekur nga Amerika me 6,250, ndërsa me numrin më të vogël të hyrjeve e regjistron Afrika me vetëm 184 shtetas.
Megjithatë, këto shifra të publikuara nga Instat, flasin vetëm mbi lëvizjen e shtetasve të përmbledhura me rajone por prej disa muajsh mungon reflektimi i numrit të turistëve të huaj të specifikuar sipas vendit të origjinës.
Përsa i takon qëllimit të hyrjeve të shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë, dominohet nga kategoria e qëllimeve “personale”, dhe është regjistruar në 300,913, duke u rritur me 55.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kategoria e qëllimeve personale mbizotërohet nga nënkategoria “pushime, vizitë tek të afërmit” me rreth 95%, ndjekur nga nënkategoria “udhëtarë transit” me rreth 5%. Nga ana tjetër, shtetasit e huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime profesionale apo për biznes janë vetëm 8,412, duke u rritur me 6.3% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.(Ilda Methasani)