Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një tjetër mesazh të fortë Rusisë. Teksa “Defender 21” ka mbi një muaj që ka përfunduar forcat ushtarake amerikane vijojnë të qëndrojnë në Shqipëri.
Ndërkohë, dje ambasada amerikane ka njoftuar se, zyrtarë të saj së bashku me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshin, kanë qenë të pranishëm në një stërvitje ushtarake të forcave speciale të SHBA me ato shqiptare. Ambasada amerikane ka theksuar se forcat e SHBA kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikim, të cilat vijojnë pa u ndërprerë.
“Zyrtarët e Lartë David Millner, Erol Munir dhe London Nagai, ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi morën pjesë në një stërvitje ushtarake, ku Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësuan skuadrat e Forcave Speciale Shqiptare përmes stërvitjeve të ndryshme. Forcat amerikane kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikimi”, thuhet në njoftim.
Herë pas herë ambasada vë në dukje se, SHBA vijojnë të jenë përkrah Shqipërisë duke i përcjellë kështu mesazhe të forta Rusisë. Dhe në këtë njoftim, si për t’i treguar Moskës që nuk do ketë hapësirë të ndërhyjë në Shqipëri dhe Ballkan, ambasada amerikane garanton që stërvitja mes palëve do të vijojë. Madje SHBA dhe Shqipëria do të ecin në këtë rrugë gjithmonë përkrah njëra-tjetrës.
“Ky ishte aktiviteti përmbyllës pasi ushtarët nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë kanë stërvitur Forcat Speciale Shqiptare përgjatë gjithë muajit korrik. Ky ishte trajnimi i parë nga Forcat Speciale Amerikane që u zhvillua në Shqipëri që nga viti 2017 dhe tregoi se megjithëse Defender Europe 21 ka mbaruar, ne vazhdojmë të stërvitemi së bashku, të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë, krah për krah”, thuhet në njoftim.
SHBA e vendosur të mos tërhiqet
Për të treguar vendosmërinë e saj në ndihmën e Shqipërisë për Forcat e Armatosura dhe Luftën ndaj korrupsionit, SHBA ka bërë edhe më parë një deklaratë tjetër publike ku tregoi se koordinimi me Shqipërinë do të vazhdojë. Kjo lëvizje e amerikanëve duket se është një mesazh i qartë edhe për Rusinë, e cila së fundmi ka tentuar të shtrijë ndikimin e saj në Ballkan dhe për ata që mbështesin Moskën.
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, individë të caktuar në Shqipëri, që njihen për simpatinë dhe afrimitetin që kanë me Moskën, paralajmëruan trazira dhe destabilitet. Por këta skenarë u rrëzuan edhe më shumë, kur në fillim të majit në Shqipëri u dislokuan trupat e NATO-s.
Stërvitja ushtarake u organizua nga Ushtria Amerikane në Europë dhe Afrikë, ku morën pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere dhe u zhvillua në 7 baza të ndryshme në vendin tonë. Kjo stërvitje iu futi të dridhurat gjithë të interesuarave për destabilitet në Shqipëri që përkrahen nga Moska.
Madje, kjo e fundit ishte shumë në alarm sa ngarkoi me mision të fshehtë 2 agjentë rusë, të cilët hynë në Shqipëri gjatë stërvitjes “Defender Europe 21”, por që u zbuluan nga Shërbimi Informativ Shtetëror, duke mos i lënë më Moskës asnjë shteg që të ndërhyjë.