Uashingtoni do ta shqyrtojë idenë e Serbisë për të organizuar takimin mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.
Këtë e konfirmon ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill. “Sa herë që presidenti Vuçiç ka mendime për një temë, njerëzit i konsiderojnë ato mendime me shumë kujdes”, tha ambasadori. Hill shtoi se idea e tij “sigurisht që do të shqyrtohet në Uashington”.
Ai nuk pranoi të japë një mendim apo koment lidhur me propozimin, ndërsa u shfaq i surprizuar për ofertën. Hill zhvilloi takimet e lamtumirës, pasi largohet nga posti i ambasadorit në Beograd, duke konfirmuar se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë më shumë gjëra që i lidhin se sa që i ndajnë.
Vetëm disa ditë më parë, Uashingtoni njoftoi sanksione ndaj industrisë shtetërore të naftës të Serbisë, për shkak të pronësisë nga kompania ruse, Gazprom. SHBA-të kanë lënë një afat për ndërrimin e kësaj pronësie, ndërsa qeveria e Beogradit thotë se po punon për shmangien e pasojave.