Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke thënë se ky shtet do të shkatërrohet nëse përshkallëzohen edhe më shumë mospajtimet në mes të të dyja shteteve.
“Nëse Irani dëshiron të luftojë, atëherë ai do të jetë fundi zyrtar i Iranit”, ka thënë Trump përmes një postimi në Tëitter. “Mos i kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara!”
Së fundmi SHBA-ja ka pozicionuar anije luftarake dhe aeroplanë në Gjirin Persik. Mirëpo deklaratat e presidentit Trump kanë qenë ndryshe prej qëndrimeve të tij së fundmi, në tentim të anashkalimit të konfliktit.
Vetëm disa ditë më parë, ai u ka thënë këshilltarëve të tij se ai nuk dëshiron që presioni i SHBA-së ndaj Iranit të shndërrohet në konflikt.
Irani po ashtu i është shmangur rritjes së tensioneve. Të shtunën, ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif ka thënë se nuk ka dëshirë të krijohet luftë.
Tensionet janë rritur mes këtyre dy shteteve prej majit të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara janë larguar nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.
Sipas marrëveshjes, Irani është zotuar për frenim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.