Banda e LSI, në shpërbërje e sipër, është e tmerruar nga ideja e futjes së përgjuesve në vilat e shumta të Monikës dhe Metës.
Këto vila, sidomos vila në Gjirin e Lalzit, me 12 tualete dhe me një vlerë mbi 1.5 milionë euro, kanë shërbyer si bazë për organizimin dhe udhëzimin e anëtarëve të bandës së LSI për të vjedhur me tendera, koncesione, kontrata qiraje, kontrabandë në porte, vjedhje tek patentat, shfrytëzimin e guroreve, pyjeve, lumenjve etj.
Ditët e fundit, në korridoret e LSI, qarkullon një lajm për mundësinë e vendosjes së përgjuesve nëpër vilat e Monikës dhe Metës, në të cilat kanë hyrë dhe dalë anëtarë të rëndësishëm të bandës, sidomos ish-ministrat dhe ish-drejtorët, të cilët kanë shërbyer si burimi kryesor për mbushjen e thasëve me para për Monikën.
Nuk dihet me saktësi se kush dhe për kë ka vendosur përgjues, por tmerri në LSI është i pazakontë.
Gjatë miratimit reformës në drejtësi, LSI bëri një luftë të ashpër për të mos lejuar përgjimin në shtëpitë e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar.
Gjatë një debati për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ish-ministri i Metës dhe Monikës, Petrit Vasili u shpreh: “Përgjimi, i marrë nga jeta personale e personave në mënyrë të veçantë pa dijeninë e tyre, është një moment delikat, ku vendimi për ta kryer këtë gjë duhet të jetë i orientuar nga arsye madhore dhe mendimi ynë i qartë dhe pa ekuivok është që vendimi i gjykatës për përgjimin në audiencë private duhet të jetë prerogativ e padiskutueshme.
Shtrembërimi i kësaj të drejte dhe abuzimi me të do të ishte një tronditje e madhe në themelet e shtetit demokratik, të krijuar pas viteve ’90, ku realiteti apo psikoza, që të gjithë përgjonin të gjithë të mos stabilizohet në Shqipëri dhe të mos përjetohen ato frikëra”.
Me dorëzimin e mandateve të deputetëve, vetë Monika dhe disa anëtarë të bandës janë më të rrezikuar nga kontrollet, përgjimet dhe vëzhgimet. Pas dorëzimit të mandateve, organet e drejtësisë mund të kontrollojnë banesat e ish-deputetëve të LSI pa i marrë leje Kuvendit.
Madje, Monika i ka paralajmëruar anëtarët që i kanë mbetur ende besnik që të kenë kujdes, pasi janë në shënjestër. Nga ana tjetër, Ilir Meta po hiqet prej dy vitesh sikur nuk ka lidhje me bandën e LSI dhe flet sikur është mbi palët. Meta ia ka kaluar të gjithë pasurinë Monikës. Kjo e fundit ka nisur të shesë një pjesë të apartamenteve para ngritjes së SPAK-ut./Pamfleti