Mjeku i njohur Tritan Kalo ka qenë në radhët e mjekëve që kanë bërë ditën e djeshme vaksinën anti-Covid. Në një intervistë ai ka folur pak orë pasi ka bërë vaksinën sa i përket gjendjes së tij. Kalo u shpreh se nuk ka kaluar asnjë efekt anësor dhe se ndihet mirë.
“Të them të drejtën proceset anësore janë më shumë efekte të supozuara. Skam as djegie as dhimbje as temperaturë të ulët. Skam asnjë shqetësim”, tha ai.
Ndër të tjera ai u shpreh se përpara se të bëhet vaksina pacientit i jepet një udhëzues. Mjeku vaksinën nuk ua sugjeron grave shtatzënë dhe atyre nën 16-18 vjeç, ndërsa theksoi se punonjësit e shëndetësisë janë ata të cilët duhet të bëjnë vaksinën të parët.
Ai bëri me dije se nëse një person arrin të bëjë dy dozat e vaksinën sipas mjekut mund të arrijë në 95% mbrojtje. “Vetë prodhuesi para se të vaksinohesh të ofron një fletë të gjerë të konsensusit. Vaksina nuk këshillohet nën moshat 16 vjeç si dhe te gratë shtatzëna. Ata që duhet të vaksinohen të parët, punonjësit e shëndetësisë e vetmja gjë është nëse kanë ndonjë efekt anësor, dhimbje koke, temperaturë.
Jo vetëm që të marrin paracetamol, por të vënë dhe në dijeni mjeken e familjes se i janë shfaqur këto elementë. Masa e vaksinimit me dy doza niveli i mbrojtjes arrin në 90-95%”, tha ai. Sakaq mjeku Kalo ka bërë edhe një krahasim midis gripit spanjoll dhe Covid, ku theksoi se gripi ka një kohëzgjatje më të madhe. Ai vijoi më tej duke thënë se me vaksinën do të arrihet që virusi të mos depërtojë më, ndërsa deklaroi se me fillimin e vaksinës është fillimi i fundit të pandemisë. “Jam shprehur dhe në një prononcim të mëparshëm.
Ajo çka ndodhi me gripin spanjoll ka një kohështrirje midis 18 deri në 24 muaj edhe pa vaksinë. Tani që kemi dhe vaksinë, nëpërmjet vaksinimit që krijon imuniteti do arrijmë në një pikë që virusi ta ketë të pamundur të depërtojë. Në këtë periudhë ka shumë protagonizëm dhe gjithollogji dhe ka krijuar konfuzion të popullatës, kjo është arsyeja pse jam tërhequr në front të 2. Ky është fillimi i fundit të pandemisë, fillimi i vaksinimit. Mos hezitoni të vaksinoheni kur të vijë dita”, tha Kalo.