Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi akuzon tregtarët e mallrave dhe partitë politike të opozitës si përfitues dhe matrapazë në këtë kohë inflacioni.
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ish-zv/ministri i Mbrojtjes sulmon me gjuhë të ashpër bizneset e mallrave për rritjen abuzive të çmimeve, ndërsa për forcat politike kundërshtare të PS ai shtoi se po i shfrytëzojnë protestat kundër rritjes së çmimeve për të përfituar vota.
“Lufta e fashistit Putin në Ukrainë dhe lufta botërore ekonomike u kthye në biznes për dy kategori spekulantësh: për tregtarët e mallrave dhe për biznesmenët politikë. Të parët bllokuan mallrat dhe i rritën çmimet sipas kokrrës së qejfit. Të dytët bënë atë që se ka bërë askush në vendet aleate, përpjekje për ta kthyer luftën në vota. Këta janë në partira, por edhe jashtë tyre, në pritje për t’u partizuar në emër të shpëtimit nga oligarkia”, shkruan fillimisht deputeti socialist i Fierit.
Më tej, Koçi i akuzon këto dy palë se po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet një biznesi të përbashkët dhe për të përfituar nga populli shqiptar. Në fund, ai vlerësoi planin e ndihmës ekonomike të qeverisë me 7 pika për të përballur shtrenjtimin e çmimeve.
“Në fakt, sot të dyja këto kategori, oligarkët nga njëra anë dhe spekulantët politikë, me ose pa parti nga ana tjetër, po ngopin interesat e tyre në një biznes të përbashkët pavarësisht se shiten sikur janë kundër njëri-tjetrit.
Të dyja kategoritë shfrytëzojnë të njëjtin instrument fitimi: popullin! Ata janë bashkë! E vërtetë është gjithashtu se askush nuk ka pritur që kjo të ndodhte në një shoqëri që është pjesë e NATO s dhe që synon të bëhet pjesë institucionale e BE. Por, më në fund u reagua siç i ka hije një qeverie dinjitoze. Stop matrapazëve! Stop babëzisë!”, përfundon komentin e tij deputeti socialist, Petro Koçi.