Pas shumë kohësh heshtje, deputeti ish prokuror, Spartak Braho, ka folur për një çeshtjen e dekonspirimit të aksionit për kapjen e autorëve të veprës penale të pastrimit të shumës së parave prej 3,7 milion euro Si profesionist i fushës, deputeti ish prokuror,e nis analizën e tij me një pyetje, se nga kush u vu në dijeni z. Basha për këtë transport , ndjekjen , hetimin dhe gjurmimin e tij nga strukturat policore?!
“Dekonspirimi operacionit policor për zbulimin dhe arrestimin e autorëve të transportimit të 3.7 milionë eurove nga Belgjika në Durrës tashmë është evident. Ka një autor të këtij dekonspirimi që e “dogji” operacionin të zhvillohej deri në fund duke njoftuar autorët kryesorë të grupit kriminal. Ai u shfaq publikisht si i tillë. Dhe ky është Lulzim Basha që me deklaratën e tij në Kuvend e ka pohuar dijeninë e ekzistencës të grupit kriminal që do transportonin nga Belgjika në Shqipëri të disa milionë eurove në rrugë të pa ligjshme.
Ndërkohë janë bërë të njohura lidhjet e tij nëpërmjet fotove me të afërmit e ngushtë të këtij grupi që janë shpallur në kërkim si autorët e transportit klandestin të 3.7 mil eurove. Me deklaratën e tij para përfundimit të operacionit të strukturave policore për arrestimin e autorëve Lulzim Basha dekonspiroi ndjekjen dhe hetimin e autorëve të këtij grupi kriminal dhe fshehjen e autorëve kryesore të tij.
Çështja shtrohet nga kush u vu në dijeni z. Basha për këtë transport , ndjekjen , hetimin dhe gjurmimin e tij nga strukturat policore etj? Kjo rrethanë duhet hetuar dhe këtë fakt apo rrjedhje informacioni sekret mund ta shpjegojë vetëm Lulzim Basha. Tashmë ka një denoncim dhe akuzë nga Taulant Balla në organet e prokurorisë për këtë dyshim. Pa dyshim që jemi para një ngjarje të rëndë.
Është e domosdoshme që organet e prokurorisë duhet menjëherë të fillojnë hetimet , të thirret veç të tjerave me urgjencë për të shpjeguar deklaratën e tij Lulzim Basha si dhe prova të tjera që lidhen me këtë çështje. Zvarritja e procedurave hetimore ose mundësia e fshehjes së tyre nga autorët rrezikon hetimin, shpresoj dhe besoj se këto rrethana prokurorët e çështjes do ti vlerësojnë me objektivitet dhe paanshmëri pa u tërhequr e ndikuar nga ndërhyrjet dhe presionet që jam i bindur që do të ketë mbi ta”, shkruan deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho./Ekskluzive.al