Maringlen Doçi, një i ri nga Mamurrasi i kërkon të gjithë miqve në rrjetet sociale që të mblidhen përpara komisariatit numër një ditën e sotme, për të ushtruar presion për lirimin e kolegut të tij të FRPD, me banesë në Kukës, i ndaluar dje pasi inicioi trazira tek ASTIRI.
Brenda pak minutash, statusi arrin tek Darvin Zalla, i riu nga Fushë Kruja që bën të njëjtën thirrje. E brenda një ore, me dhjetëra të rinj, përfshi kryetarin e FRPD, Belind Këlliçi, sinkronizohen duke postuar të njëjtën status, i sponsorizuar për të rritur shikueshmëri kudo nëpër rrjet.
Gjithçka e organizuar deri në detajet më të vogla.
Gentian Mark Gjonaj u arrestua ditën e djeshme tek ASTIRI pasi i vuri flakën gomave të makinave dhe kërcënoi agjentët e policisë, por “eksporti” i degës së PD Kukës në Tiranë, i njohur në qarqet e PD si një reper që mbajti gjallë çadrën me këngë kundër Ramës, ka një të përbashkët me të gjithë emrat e mësipërm.
Gjonaj, Doçi dhe Zalla janë vetëm tre, nga një grup i gatshëm të rinjsh të paguar të FRPD, që gjenden kudo që Lulzim Basha kërkon të organizojë trazira.
E si kamikazët e vlefshëm të partisë, kjo nuk është hera e parë që ata bien në pranga. Gjonaj, që siç mund ta shihni në foto ishte edhe një prej folësve të veçuar në çadrën e vjetshme, ishte një prej të arrestuarve tek djegia e Bunkerit, së bashku me Elton Lleshin, të riun nga Lezha, gjithashtu anëtar të FRPD.
Statuset në rrjetet sociale tregojnë se janë të njëjtët persona që bllokuan akset kombëtare vitin e shkuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të njëjtët persona që fjetën në çadër, të njëjtët persona që bënë që protesta tek Teatrit të kishte shfaqje dhune, tani tek ASTIRI, e shumë të tjera.
Nuk ka asnjë bordero në PD që mund të provojë një interes financiar të grupit të gatshëm, por një numër provash rrethanore e vërtetojnë qartë diçka të tillë.
Reperi i ndaluar, Gentian Gjonaj, merrte një rrogë pa u paraqitur në punë nga UKT në kohën e Bashës. Të tjerë marrin honorare nga Bashkitë Lezhë, Mamurras apo biznese të lidhura me PD, disa nga të cilët të zotëruar nga të njëjtët që Basha i anatemon si “oligarkë”.
Të gjithë këto prova nxjerrin një përfundim të qartë.
Skenari është gjithmonë i njëjti. “Qytetarë të revoltuar”, të cilët shprehin zhgënjimin kundër qeverisë duke i vënë flakën objekteve publike, duke goditur me gurë policinë apo duke bllokuar akse kombëtare.
Vetëm se “qytetarët”, janë të rinj të FRPD, të paguar nga vetë Partia Demokratike për të krijuar një klimë tensioni në vend. Janë gjithmonë të njëjtat figura që qarkullojnë dhe paguhen pikërisht për këtë punë.
E pas zullumit, Basha gjithmonë mban një fjalim, ku duke folur me fjalë të mëdha për lirinë e të drejtën e protestës së qytetarëve të ndershem, dënon çdo kundërpërgjigje të Policisë. E skenari përsëri përsëritet, javë pas jave, muaj pas muaji, si një film i bukur, që i hedh hi në sy qytetarëve dhe përpiqet të krijojë një klimë të padurueshme tensioni anembanë vendit./Ekskluzive.al