Të hënën në orën 20.45, Islanda pret në shtëpi Shqipërinë, në kuadër të Nations League. Në prag të këtij takimi ka folur trajneri i islandezëve, Arnar Por Viarsson. Viarsson vlerëson në maksimum kuqezinjtë, ndërsa shpreson se stadiumi në Rejkjavik të jetë i mbushur.
“Duhet të vazhdojmë të paraqitemi siç kemi bërë ndaj Izraelit. Ishte një ndeshje shumë e mirë, katër gola dhe shumë raste, kjo është ajo që njerëzit duan të shohin.Më kujtohet kur isha i vogël dhe vija në këtë stadium për të parë ekipin kombëtar të Islandës të luante. Ata ishin heronjtë e mi. Uroj që prindërit e fëmijëve që luajnë futboll në Islandë të vijnë në stadium nesër dhe t’u japin fëmijëve të tyre mundësinë që të shohin ekipin kombëtar duke luajtur.
Për futbollistët ë rinj, kjo është gjithçka që mbetet në mendjen e tyre gjithë jetën. Mua më kujtohet ende që vija në stadium dhe shihja Atli Edvaldson dhe Asgeir Sigurvinson. Ajo më ndihmoi që të realizoja ëndrrën time.Ndeshja me Shqipërinë duhet të jetë në vazhdimësi me atë ndaj Israelit. Është një hap i rëndësishëm kjo përballje në lidhje me zhvillimin e Kombëtares që ne kemi folur në gjithë këto muaj, test pjekurie dhe përvoje.
Kanë kaluar gati 3 vite nga ajo humbje 4-2 ndaj Shqipërisë.Është gjithashtu e rëndësishme për lojtarët tanë të ndjejnë mbështetjen e kombit. E di këtë nga periudha kur luaja vetë, kur kishte një atmosferë pozitive në stadiumin tonë, mund të shtyjë ekipin para. Kjo skuadër e re e meriton këtë. Këta janë lojtarë shumë të talentuar që po rriten dhe zhvillohen. Ndaj uroj që njerëzit të vijnë në stadium dhe të mund të thonë pas një apo dy vitesh ‘më kujtohet kur këta lojtarë ishin në fillimet e tyre’. Atëherë ne shpresojmë të kemi një skuadër të vërtetë në fazën finale” – tha ai.
Islanda barazoi 2-2 në ndeshjen e parë ndaj Izraelit.