Tre orë ankthi për 280 pasagjerë të tragetit “Rigel 1” në det të hapur mbrëmjen e shkuar. Kapiteni i portit Taulant Allka bëri me dije se një problem me paketën e Kontrollit brenda në tragetin e linjës Bari-Durrës, ka bërë që trageti të pësojë black out në orën 03:00 të mëngjesit të kësaj të diele.
Kapiteni ka ndezur manualisht një prej motorëve duke sjellë energjinë elektrike për pasagjerët e traumatizuar e në panik. Kapiteni i Tragetit ka qëndruar për rreth 3 orë në det të hapur deri sa të bëhej e mundur ftohja e motorëve për të ndërhyrë në riparimin e defektit në sistemin e kontrollit. Moti nuk ka qenë aspak favorizues.
Si rezultat i erës se fortë trageti është zhvendosur drejt Barit ndërsa ishte nisur mbrëmë nga Bari në drejtim të Durrësit. Avaria e pësuar ka bërë që pasagjerët të qëndrojnë në det të hapur deri në riparimin e defektit, një pjesë e të cilëve e kane denoncuar tek autoritetet italiane.
Guardia di Finanza dhe roja bregdetare italiane kanë qenë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast rrezik mbytjeje. Rreth orës 06:00 të mëngjesit trageti është nisur pas vënies në funksion e riparimit të defektit. Pritet që trageti të ankorohet në orën 16:00 në portin e Durrësit me 280 pasagjerët dhe 40 automjetet qe gjenden në të.