Trafiku i rënduar me të cilin përballen çdo ditë qytetarët në Tiranë, ka qenë temë diskutimi edhe në ‘Studio Live’, në Report Tv, me gazetarin Arbër Hitaj, mbrëmjen e sotme.
Kreu i nismës ‘Thurje’, Endri Shabani përmes skype kërkoi ndjesë se duhej të ishte në studio, por e kishte të pamundur për shkak të trafikut të rënduar.
Madje nënvizoi se 7 ditë të një muaji, kryeqytetasit që përdorin makinë i kalojnë në trafik.
‘Kërkojë ndjesë sepse dot duhet të isha në studio. E kam ngritur këtë shqetësimin, trafiku është pasojë e numrit të lejeve që jepen brenda unazës së qyteti dhe transporti publik, kur ai dështon atëherë qytetari merr makinën e vet. Nëse nuk ka një politikë që të zgjidh problemin e transportit publik në Tiranë atëherë kjo do të jetë edhe panorama. Unë sot në Tiranë kam harxhuar 2 orë për të lëvizur nga një pikë në një pikë tjetër. Një javë në Tiranë gjatë një muaji ne e kalojmë në trafik dhe ne duhet që të nisim me politika afatgjatë që zgjidhin këto probleme’, tha ai.
Gazetari Anri Bala, tha se për të mbërritur në kohë në studio, u nis 1 orë e gjysmë më herët.
Bala deklaroi se policia që duhet të mbarëvajë trafikun, bllokon edhe më shumë rrugët.
‘U nisa një orë e gjysmë para për të ardhur. Dje kam dal një orë para që të shkojë në teatër dhe nuk arrita dot që ta kap. Drejtuesit e mjeteve ankohen për pjesën e policisë. Në familjet shqiptare është bërë domosdoshmëri një mjet. Madje u duhen edhe dy makina, që të cojnë dhe fëmijët në shkollë dhe të ikin edhe në punë. Policia e Shtetit del për ta mbarvajtur trafikun dhe dalin vend e pa vend dhe bllokojnë rrugët pa asnjë shkas. Ka nevojë për një mjet alternativ lëvizëse. Mjetet e bizneseve ndalojnë vend e pa vend, parkojnë dysh dhe tresh’, tha ai.