Në një kohë kur Prokuroria e Tiranës duhej të kërkonte arrestimin e Armand Lilos, për ndërtimin e 7 kateve pa leje në kullën gango ‘Syri i Tiranës’, në qendër të kryeqytetit, ndodh ajo që rrallëkush mund ta imagjinonte.
Në skenë del Edi Rama me KKT-në e tij, duke i bërë një ‘dhuratë të çmendur’ Lilos për Vitin e Ri.
Tre ditë para Vitit të Ri, në 28 dhjetor 2022, KKT-ja i Edi Ramës ka miratuar dhënien e lejes për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Tiranë për kompaninë ‘Arlis Ndërtim’, pas të cilës qëndron Armand Lilo nga Pogradeci, i njohur si kunati i Fatmir Xhafajt.
“Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks multifunksional Hometown”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekte zhvillues shoqëritë “Arlis Ndërtim” sh.p.k dhe “Epoch Construction” sh.p.k“, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Arlis Ndërtim, me administrator Ferzilet Hajdëri, është në pronësi të kompanisë Armaar Group, me administratore Xhensila Pupa. Pronar i Armaar Group është pikërisht Armand Lilo, i lakuar për trafiqe, pastrim parash, ndërtime pa leje dhe korrupsion.
Lilo, përmes Armaar Group, është edhe pronar i kompanisë Ideal Construction, me të cilën shtoi 7 kate pa leje në kullën në mes të Tiranës. Kullën ia bleu në ndërtim e sipër ‘pitonit’ të ndërtimit Artan Dulaku, një tjetër satelit i Edi Ramës.
Me këtë lëvizje dyshohet se janë pastruar dhjetëra milionë euro, por SPAK nuk po zbaton ligjin anti-mafia.
Nga ana tjetër, Prapaskena mëson se Lilo ka hedhur qindra mijëra euro për të blerë prokurorin e çështjes, me qëllim mbylljen me sa më pak kosto të dosjes së ndërtimit pa leje të 7 kateve në mes të Tiranës.
Ndërsa janë arrestuar dhe dënuar dhjetëra qytetarë për një avlli, dritare dhe çati, Prokuroria nuk zbaton parimin e barazisë para ligjit, që të arrestonte të paktën dy administratorët ‘kukulla’ të kompanive të Lilos.
Hija e Fatmir Xhafajt
Prapaskena ka mësuar se Armand Lilo është referuar në Prokurorinë e Tiranës për kate shtesë pa leje në kullën që i bleu Tan Dulakut, duke krijuar një pallat të shëmtuar gango në mes të Tiranës, simbol i rënies dhe i kapjes së shtetit ligjor.
Por, trafikanti Armand Lilo duket se i ka bërë llogaritë për të gjitha këto zhvillime. Lilo nuk i ka shtuar 7 kate pa garanci.
Dhe garancia duket se është kunati i tij, Fatmir Xhafaj, subjekt i ligjit anti-mafia për shkak të aktivitetit kriminal të të vëllait si trafikant ndërkombëtar droge.
Prokurorë të korruptuar nuk kanë kërkuar arrestimin e Lilos, siç kanë operuar me dhjetëra qytetarë që kanë ndërtuar një çati apo avlli pa leje.
Policia nuk ka ndërhyrë për të ndaluar krimin në mes të Tiranës, ndërsa prokuroria nuk ka nisur një hetim të thelluar financiar ndaj Lilos si eksponent i botës së krimit.
Pas dorëzimit të shtetit në raport me Armand Lilon besohet se qëndron Fatmir Xhafaj, i cili përfaqëson një nga klanet më të errëta dhe të fuqishme në prokurori, gjykata, Veting, bixhoz etj.
SPAK duhet të marrë në dorë këtë dosje, duke nisur që nga mosveprimi i policisë dhe prokurorisë.
Kush është Armand Lilo
Armand Lilo nga Pogradeci, pronar i kompanisē Arlis Ndërtim, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ai njihet si kunat i Fatmir Xhafajt. Lilo i ka nërtuar disa vila Xhafajt, ndërsa Xhafaj e ka mbrojtur nga veprimi i ligjit.
Madje në momentin që filloi ndërtimin e një kompleksi pallatesh në zonën e ish-Uzinës, mbi lulishten 15 mijë metra katror, lejen e siguroi pikërisht nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili mban postin e Drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë Tiranë.
Armand Lilo rezulton i përfshirë me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri. Në makinën e Lilos, Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e përdorte Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Tahirit dhe 863 mijë euro. Kjo ndodhi kur ish-Ministri po akuzohej për trafik ndërkombëtar droge.
Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi edhe në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin.
Një raport i shërbimeve sekrete e ka skeduar Lilon për probleme të rënda ligjore. Madje Lilo ‘mori në qafë’ edhe anëtarin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçin, për shkak të kontakteve që Muçi kishte me Lilon, i cili konsideroj person i skeduar dhe me probleme ligjore.