Nga: Marin Mema
Teksa e gjithë bota mburret me historinë e saj, ne shpesh dukemi të kompleksuar për të kujtuar e shpluhurosur gjurmët që vijnë nga shekujt. Aq i dukshëm është ky fakt sa mjafton një udhëtim i thjeshtë në masën dërrmuese të qyteteve tona, për ta kuptuar. Në Fier, bash në pjesën kryesore qëndron një glob i çuditshëm, kur në fakt Apollonia duhet të ishte një simbolikë e padiskutueshme. Në Durrës më rëndësi i jepet velierës betonizuese sesa madhështisë së Epidamnusit apo Dyrrahut të lashtë. Nuk ndryshon Shkodra simbol i Gentit dhe pushtetit Ilir, apo Lezha, Lisusi hijerëndë që në sheshin kryesor duhet me çdo kusht të gëzojë vërtetë rrënjët e tij. Kështu në Ballsh, ku Bylisi nuk mund të harrohet, në Albanopol, në Përsqop, Berat, Gjirokastër, Grazhdan, Enkelanë e me radhë…
Nuk dihet se përse askund në sheshet kryesorë nuk gjen diçka që të lidhet vërtetë me drejtuesit ilirë. Teutën në Durrës mbi godinën historike të bankës e kane ngritur italianët diku ne fundvitet 20 dhe në fillimin e atyre 30. Po ne përse nuk kujtojmë askënd prej tyre ? Sheshi i Tiranës ka hapësirë pafund, por në të vendoset gjithçka përveç një shtatoreje që përkujton rrënjët tona më të lashta. A është normale që të mburremi vetëm me memoriale apo vepra abstrakte e me simbolika që sigurisht kanë vlerën e tyre, por nuk duhet kurrësesi të mbulojnë identitetin e hershëm të shqiptarëve. Arti është art dhe ai duhet kuptuar, por ne nuk jemi një vend pa të shkuar që çdo gjë duhet ta mbështesë tek veprat e nënkuptuara…E pra në Shqipëri veprat e realizuara në dekadën e fundit janë të gjitha të tilla. Ndryshojnë vetëm ato fryt i inisiativave private , por që ndalen këtu.
Përse kjo frikë apo mungesë dëshirë për të treguar historinë? Nëse në vetë nuk e ringremë përse duhet ta kërkojmë fajin tek fqinjët që na e rrëmbejnë? Është e kotë të kërkojmë tjetërkund, të klithim apo të mërzitemi kur në fakt tradhëtarët, hileqarët, lënësit pas dore, të korruptuarit apo quajini si të doni, i kemi këtu brenda, në shtëpinë tonë. Ky është realiteti edhe pse shumicës nuk na pëlqen, ndërsa këta janë shtetarët që më shumë mendojnë për xhepat e fallsitetet e radhës sesa për vlera të tilla.