Një atentat i tipit mafioz ka ndodhur ndaj një oligarku të famshëm disa ditë më parë. Burime të ekskluzive.al janë njoftuar për atentatin asaj kohe, por duke qenë se asgjë nuk është bërë publike nga asnjë media apo gazetarë, ndërsa policia dhe prokuroria fshehën ngjarjen, u detyruam të kryenim një investigim për ngjarjen, e cila është e përsëritur.
Sipas burimeve të gazetës, biznesmenit të njohur i është bërë një atentat dhe gjendja e tij shëndetësore kësaj here paraqitet kritike. Po sipas burimeve spitalore, mësohet se oligarku i cili ka marrë disa plumba në trup, nuk ka dal akoma nga gjendja e rëndë që është paraqitur.
Burimet bëjnë me dije, se biznesmeni i njohur është nisur me urgjencë drejt një spitali të një vendi të Bashkimit Europian, të cilin nuk po e bëjmë me dije për momentin për lexuesin, për të ruajtur sigurinë dhe privatësinë e biznesmenit, por që gazeta do të publikoj të gjitha rrethanat e ngjarjes në momentin e duhur.
Ky është atentati i dytë që i bëhet biznesmenit të njohur, edhe njësoj si ai i disa viteve më parë, sërish media, policia dhe prokuroria e ka fshehur ngjarjen e rëndë. Përgjegjësinë më të madhe e ka policia, e cila nuk ka bërë asnjë deklaratë për ngjarjen, edhe pse ka ndodhur haptazi në mes të vendit.
Me heshtjen e policisë, media është detyruar të mos publikoj asgjë për këtë ngjarje, duke mos qenë para zbardhjes së rrethanave të ngjarjes disa prej tyre po investigojnë paralelisht, ndërsa disa media mike po heshtin ndoshta për t’i ruajtur reputacionin oligarkut. Por heshtja e policisë, prokurorisë dhe medias nuk e ka ndihmuar aspak situatën e biznesmenit, ku pas disa vitesh një tjetër atentat u përsërit kundër tij.
Të tilla ngjarje kriminale nuk mund të kalojnë kurrësesi pa u zbardhur dhe pa u pasqyruar në opinionin publik. Në një kohë kur policia nuk garanton jetën dhe sigurinë fizike të një personi publik, përpos miliarderit, si mund të imagjinohet se e njëjta polici do të garantojë jetën e një qytetari të thjeshtë në Shqipëri?/Ekskluzive.al