Tirana triumfoi 2 – 0 në derbin me Partizanin dhe protagonist ishte Redon Xhixha me golat e tij. Bardheblutë ia dolën të dielën në stadiumin “Air Albania”.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë ku Tirana pati e para mundësinë për të shënuar. Bardheblutë fituan një penallti në mesin e pjesës së parë, vendim i marrë me ndihmën e sistemit VAR nga Juxhin Xhaja. Redon Xhixha gaboi në goditjen e tij që u prit nga Bekim Rexhepi. Tirana mbeti me 10 futbollistë në minutën e 37’, pasi Bruno Lulaj u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen ndaj Xhuliano Skukës.
Edhe në këtë rast arbitri Xhaja shfrytëzoi sistemin e VAR. Tirana kaloi në avantazh në shtesën e pjesës së parë. Xhixha mundi kësaj here portierin Rexhepi, i cili la portën për të larguar topin.
Lojtarët e Partizanit u treguan më të rrezikshëm në pjesën e dytë, por u ndalën nga Visar Bekaj. Redon Xhixha befasoi sërish kundërshtarin në minutën e 68’. Kundërsulmi tij i shpejtë solli golin e dytë për Tiranën. Në kohën shtesë u ndëshkua me të kuq edhe Matondo i Partizanit. Tirana tani është vetëm 1 pikë larg kreut ku është rivali i përjetshëm.