Artistja e ndjerë Tina Turner do të kujtohet në të gjithë botën si një nga legjendat më të mëdha të muzikës ‘rock’ pas ndarjes nga jeta dy ditë më parë.
Shumë fakte njihen në botë për Tina dhe muzikën e saj, por më pak të njohura janë të tjera si për shembull heqja dorë nga qytetaria amerikane dhe vendosja e përhershme në Zvicër.
Kur këngëtarja e hitit të njohur ‘Proud Mary’ kuptoi se adhurohej më shumë në Evropë, ajo vendosi ta përqafonte atë.
Ndoshta fillimisht kjo vinte prej dashurisë së saj me partnerin Erwin Bach – producent e kompozitor gjerman që duket se bëri më të lehtë vendimin e saj.
Në një intervistë të rishfaqur së fundmi kur ajo fliste me Larry King në 1997, Tina shpjegonte se përse kishte rënë në dashuri me Evropën.
“U largova nga Amerika pasi dhe suksesi im ishte në një vend tjetër, ashtu si dhe i dashuri im që ishte nga një vend tjetër,” i tha King.
Këngëtarja e hitit të njohur ‘Private Dancer’ thotë se suksesi i saj erdhi fillimisht në Angli dhe se Evropa në përgjithsi i kishte dhënë shumë mbështetje.
Larry më pas e pyet: “Më shumë sesa Amerika?”, Tina përgjigjet: “Po, po, shumë.”
Larry i thotë më tej se Tina është një ‘superstar’ në Amerikë, teksa ajo përgjigjet: “Më duket se nuk jam sa Madonna! Prandaj në Evropë jam unë Madonna, madje në disa vende jam po aq e madhe sa grupi Rolling Stones.”
“Shkova në Angli për gati dy vjet e u njoha me Erwin, më pas shkova të jetoj në vendin e tij Gjermani, kam blerë një shtëpi në jug të Francës, dhe po e rindërtojmë, ndërsa shtëpia ime e vërtetë është Zyrihu”.
Dhe me sa duket ajo ishte e lumtur atje aq sa çifti bënë zyrtare lidhjen e tyre dhe qytetarinë e re të Tinas.
Turner e Bach u martuan në 2013, pak pas të cilës këngëtarja hoqi dorë nga qytetaria amerikane dhe u bë zvicerane.
Pas lajmit të vdekjes së Tina vila e saj dhe e Erwin në Zyrih u mbush me lule dhe homazhe nga dashamirësit e shumtë.
Presidenti zviceran Alain Berset ishte një nga të shumtët që i bënin homazh Turner duke shkruar se ‘mendimet tona janë me të afërmit e familjarët e kësaj gruaje të pabesueshme që gjeti shtëpinë e saj të dytë në Zvicër”.