Armando Broja është tani në qendër të vëmendjes së shtypit sportiv britanik, pasi golat dhe performanca e tij janë të cilësisë së lartë për një djalosh vetëm 20 vjeç.
Sulmuesi në dyshim deri në momentet e fundit për ndeshjen kundër Totenhemit pas goditjes në gju të shtunën në kupën angleze kundër Coventry, jo vetëm që ia doli të ishte titullar të mërkurën, por u bë sërish protagonist, duke shënuar golin e barazimit 1-1 në minutën e 23-të, gol që i hapi rrugën fitores.
Jo vetëm kaq, ai goditi shtyllën dhe humbi dy raste të tjera ku mund të kishte tundur rrjetën e Lorisit. Në fund pak rëndësi ka, “Shenjtorët” fituan ndeshjen dramatike kundër skuadrës së Kontes 3-2, duke i shkaktuar humbjen e parë teknikut italian në shtëpi.
Për Brojën, që është edhe shënuesi më i mirë i skuadrës së Ralf Hazenhytelit këtë sezon, ishte goli i 6-të në Premier Ligë në 19 ndeshjet që është aktivizuar, duke u shkëputur edhe njëherë nga Romelu Lukaku, shoku i skuadrës te Çelsi.
Blutë e Londrës i paguan Interit 97.5 milionë paund për ta kthyer në “Stamford Bridge” në gusht, me koston e transferimit më të shtrenjtë të historisë. Sulmuesi belg e ka tundur rrjetën 5 herë në kampionat këtë sezon, ndërsa sulmuesit e tjerë të Tomas Tuhelit, Kai Haverc (2 gola) dhe Timo Verner (1) mbeten shumë larg shifrave të Brojës.
Talenti 20-vjeçar i Çelsit i ka shënuar golat e tij kundër Lidsit, Bërnlejt, Brajtonit, Palasit, Brentfordit dhe Totenhemit. Pas triumfit në Londër, “The Sun” i dedikonte edhe një shkrim me titullin “Strong Arm” (Krahu i Fortë) frymëzuar nga tri germat e para të emrit të djaloshit të lindur në Slau.
Njeriu që u huazua në “St Mary’s” për të zëvendësuar Dani Ingsin këtë sezon dhe që bashkë me 3 golat me fanellën e kombëtares e ka dërguar në 11 numrin e rrjetave këtë sezon, i ka hapur telashe të bukura drejtoreshës së Çelsit, Marina Granovskaia, e cila ndodhet nën presion sepse i kërkohet të kthejnë Brojën.
Legjenda angleze, Hedëll, i thur elozhe Brojës
Performanca e shkëlqyer e Brojës me Sauthemptonin, ka entuziazmuar një legjendë të futbollit anglez, si Glen Hodëll.
Duke komentuar ndeshjen e fundit kundër Totenhemit, ish-trajneri i kombëtares angleze, por edhe Çelsit, Sauthemptonit dhe Totenhemit, komentoi për televizionin “BT Sport” golin e 20- vjeçarit në minutën e 23-të:
“Është një finalizim instinktiv i bukur nga Broja. Ai ishte i rrezikshëm gjatë gjithë ndeshjes. Armando është një sulmues kaq i mirë”. Me formën që po tregon Broja këtë sezon, edhe vetë 64- vjeçari është në dilemë nëse ai do të rikthehet në “Stamford Bridge” në fund të sezonit, apo do të transferohet përfundimisht në Sauthempton.
Në fakt, Hodëll mendon se Broja mund të jetë një lojtar i denjë për të udhëhequr vijën e parë të sulmit të kampionëve të Tomas Tuhelit që sezonin e ardhshëm: “Ti pyet veten nëse ai do të rikthehet te Çelsi në një moment apo do të bëhet një futbollist i Çelsit për sezonin e ardhshëm”.
Dhe statistikat nuk lënë vend për dyshime. Djaloshi 20-vjeçar produkt i akademisë së Çelsit, ka shënuar më shumë sesa sulmuesit e bluve të Londrës këtë sezon, me Romelu Lukakun në krye.