I riu Mario Majollari mbeti viktimë e gjakmarrjes në moshën 28-vjeçare. Mario u vra pak metra larg pallatit ku banonte me nënën dhe motrën e tij mbrëmjen e djeshme në Kinostudio të Tiranës.
Xh.Majollari humbi një natë më parë vëllain e saj të madh, personin të cilin në ditëlindjen e tij të 27-të e quante anën e kundërt të saj, por që i bashkonte mënyra si ndjenin, si vuanin dhe një dëshirë e përbashkët. Ajo ishte e bindur që pavarësisht të gjithave, ai nuk do ta linte kurrë vetëm.
E në një postim në rrjetet sociale, të bërë më 16 Korrik të vitit 2017, motra e Marios, i cili në atë datë festonte ditëlindjen do të shkruante:
“Ne jemi si nata me ditën, dielli me hënën, veriu me jugun, çdo gjë e kundërt që ekziston. Por të dy ndjejmë njësoj, të dy vuajmë njësoj, edhe pse kurrë nuk e themi, të dy kemi të njëjtën dëshirë, edhe pse e dimë që kurrë s’do realizohet”.
“Asgjë s’ka qenë kurrë e lehtë për ne të dy, por ja dolëm, sepse kemi njeri-tjetrin. Sado që më streson kur më thua sa lopë jam, apo sa këmbështrembëse jam, apo sa e shëmtuar që jam, un e di që sado e keqe të jem, ti do jesh gjithmonë mbështetja ime. E di që edhe kur të shurdhoj me talentin tim si këngëtare, edhe kur te ti vesh bluzët e tua fshehtas, edhe kur ta bej nusen tate bredharake si vetja, un do jem gjithmonë motra jote e vogël dhe ti s’do me lesh kurrë vetëm”.
“U bëfsh 100 vjeç gjysma shpirtit tim, Zoti me ka dhënë gjithçka tek ty. Të dua shumë, më mungon pafund”, shkruante në atë kohë motra e vogël e 28-vjeçarit.
I riu u ekzekutua mbrëmjen e së martës në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë dhe dyshimet janë se vrasja e tij erdhi si hakmarrje për një vrasje të dyfishtë të kryer nga babai i tij, 18 vjet më parë.
Policia identifikoi si autor të vrasjes, Petrit Gjuzin, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Babai i Marios, Avni Majollari, në vitin 2000 ka vrarë vëllain e Petrit Gjuzit, Ilir Gjuzin. Në të njëjtën ngjarje, kishte mbetur i vrarë edhe Armand Nela, kushëri i ish – gruas së Avni Majollarit.
28-vjeçari kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte kërkuar azil pasi i ishte rrezikuar jeta.