Nga Anri Bala
Më vjen mirë kur i shikoj të angazhuar me “mish e me shpirt”, për të na larguar “ndotjen”, që na lanë peshqesh ata dhe soji i tyre, e për të na shpëtuar një herë e mirë nga “kutërbimi” i vrasjeve, vjedhjeve, dhunimeve, burgosjeve, padrejtësive… por si një mosbesues i pandreqëshëm, e ngaqë profesioni më ka mësuar, se premtimeve të tyre gjithmonë, ose “u vjen era ose i merr era”… nuk më gënjejnë dot! Mirëpo, shtrirja e dorës së tyre e ka një çmim!
Janë pikërisht, ky grup korbash e orlash, batakçinj e injorantë, perversë e sharlatanë… madje nuk po më vijnë fjalë, sepse nuk e teproj aspak me ta… që sot na kanë hedhur një krahë si “miqtë tanë, që na duan të mirën”, një të mirë që sipas kushteve të tyre, do na kushtoj shtrenjtë… e teksa unë dua t’i shoh tek lëngojnë të tredhur dhe do të gajasesha teksa i shihja të digjeshin në ferr, në këtë ferr që projektuan dhe e ngritën vetë, banorët e “manastirit të prostitutave politike”, na premtojnë se do heqin dorë nga vesi, nëse ne i falim… një çertifikatë ndershmërie si… “Kurvan i virgjër”.
Asgjë më shumë se kërkesa e tyre nuk më lëndon në këtë botë! Me një të përplasur të qëpallave mund t’i “harroja” të gjitha mënxyrat, si vrasjet, vjedhjet, dënimet, burgosje në emër të padrejtësisë, shkatërrimin të familjeve të tëra prej makutirëse së tyre, varfërimin e popullit, për të nginjur grykësat e sojit të tyre, zorr kalburit që kanë brenda në shtëpi, që prej “urisë” dhe çmendurisë për t’i nginjur brenda natës… na mbajtjën peng duke na mashtruar dhe vjedhur të ardhmen.
“Mund” t’i harroja të gjitha këto, nëse do ishin aq trima sa të guxojnë e mbrojnë krimet e tyre në shesh, do t’i harroja nëse vrasësi, dhunuesi, hajduti, do të priste vendimin pa të drejtë apelimi, që u ka dhënë populli qysh prej ngjizjes së tij nga një bark, i damkosur përjetësisht si birat e bushtrës… në radhë për tu dënuar.
Mund t’i harroj, por nuk mund të pranoj të më tallin, të më trajtojnë për të marrë, si kërriçat e tyre që kanë nëpër shtëpi, që nuk u dalin edhe qindra mijëra euro, nga paratë e tyre të pista për t’i shkolluar, “duke hyrë nëpër fakultete shula e duke dalë lloza”. S’mund të pranoj të më rrjepin duke më mikluar… për dashnorët e grave të tyre të pafajshme, që i paguajnë si kujdestar, me paketë all-inclusive që ato të shohin botën, siç e shikojnë burrat e tyre me paratë e “hallkut”.
Unë nuk pranoj të jap çertifikatë virgjërie, sepse refuzoj kategorikisht të dal në foto me ta… me secilin prej tyre. E sa më shumë i dëgjoj të flasin për pastërtinë e figurës së tyre, aq më shumë më japin arsye, për të mos dal ne foto me ta! A e dini pse?! Mund të qeshni, sepse sot duket shaka, por nuk do jetë e largët dita që do ketë vetting për gazetar, punonjës administrate, nëpunës civil, mësues, mjek, pastrues apo polic bashkiak… ndoshta si një shpikje alla shqiptarçe, për të përbaltur figurën e dikujt, qoftë edhe për ta hequr nga puna… sa herë që ndërrohen qeveritë.
Do të të kapte frika edhe po të bësh një selfie në plazh, sidomos në Lalëz, se mos ndoshta në ndonjë pjesë të fotos do të të dal ndonjë hajdut, kriminel, vrasës, gazetar gjobaxhi, polic apo mjek i paaftë dhe i korruptuar, me kokë në formë elipsi, apo edhe me keq si paralelopiped, që rrëzitet në vilën e tij miliardëshe, të vëna me paratë e tua dhe të miat, e që plazhin e bënë i pashqetësuar, sepse t’i edhe unë, i dhamë çertifikatën e virgjërisë… me një fotografi.
Për mua të gjithë janë kriminel pasiv… aktiv… apo grup kriminal, disa pse e kanë kryer krimin, e disave sepse i është lipsur ndihma e grupit, ndërsa grupi tjetër… bashkëpuntor, sepse e kanë ditur dhe kanë qëndruar duarkryq duke heshtur, se vjen një ditë dhe i duhen njëri-tjetrit!
Ndaj, çertifikatat e virgjërisë nuk mund t’i shpërndajnë horrat dhe morrat e parlamentit, por “drejtësia e drejtuar”, ku të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, ku “fotografia” nuk thotë asgjë, e as nuk të nxinë dhe as nuk të pastron dhe lartëson, por të kujton, se nuk mund të kthehesh atje ku ishe… i rëndësishëm që të lusnin për një “selfie” me ty!
Provoni të shpëtoni, por më duket e pabesueshme tani, që ka “vdekur” populli budalla dhe nëpër sheshe shëtit populli i egërsuar dhe i mllefosur që pret drejtësi, për të mos u bërë juve të mallkoni vdekjen… pse po vonohet t’ju marrë!/Ekskluzive.al